Mbi 1 milion euro është kostoja e renovimeve të Klinikës së Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
E me rastin e renovimit të kësaj klinike, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kryeministri Kurti tha se renovimet kanë qenë të domosdoshme pasi sipas tij investime nuk ka pasur përreth 20 vjet.
“Ky përurim i rëndësishëm i transferimit të Klinikës së Urologjisë më rreth 1.2 milion euro investim pasi që për rreth 20 vjet nuk ka pasur investime por ka pasur vetëm degradim të kushteve si për pacientët ashtu edhe për mjekë e infermieret. Kisha kënaqësinë që të shoh se si këtu 9 dhoma me nga 3 shtretër i kanë kushtet moderne gjë që është tejet vendimtare si për shërimin e pacientëve ashtu edhe për kujdesin profesional të cilët e japin përkushtimin e tyre maksimal të gjithë mjekët dhe infermierët”.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, paralajmëroi që nga java e ardhshme do të hapen edhe sallat operative të Urologjisë. Këtë e quajti lajm të mirë për pacientët.
“Ka disa muaj që kemi pasur takim me stafin e Klinikës së Urologjisë, ku stafi më pat treguar brengën ku Klinika e Urologjisë në bllokun operativ është klinika me kushtet më të këqija sepse nuk është investuar asgjë pothuajse gati që 20 vite. Në javën tjetër do të hapen edhe sallat operative të Urologjisë dhe në këtë mënyrë Urologjia nga klinika më problematike në aspektin infrastrukturorë në bllokun operativ po bëhet klinika model në QKUK”, u shpreh Vitia.