UBT News

Përshkallëzohen tensionet: SHBA-ja sekuestron anijen iraniane

Ushtria amerikane ka sekuestruar këtë të enjte një tjetër cisternë me naftë iraniane, duke përshkallëzuar më tej tensionet me Teheranin.

Operacioni u zhvillua në Oqeanin Indian, vetëm një ditë pasi Garda Revolucionare e Iranit mori nën kontroll dy anije në Ngushticën strategjike të Hormuzit. Departamenti i Mbrojtjes publikoi videopamje të forcave amerikane në kuvertën e anijes “Majestic X”, ndërsa përmes një deklarate, Pentagoni bëri të ditur se do të vazhdojë zbatimin e ligjit detar për të ndërprerë rrjetet që ofrojnë mbështetje materiale për Iranin.

Të dhënat e gjurmimit treguan se anija, e cila ishte nisur drejt Kinës, u ndalua midis Sri Lankës dhe Indonezisë, në të njëjtin rajon ku forcat amerikane sekuestruan më parë edhe cisternën “Tifani”. Deri më tani, nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Irani për këtë aksion.

Ky sekuestrim vjen në një kohë kur sulmet ndaj transportit detar kanë destabilizuar rrugën kryesore ujore, ku kalon rreth 20% e naftës botërore.

Megjithëse presidenti Donald Trump ka zgjatur armëpushimin me Iranin, ai po vazhdon ta mbajë në fuqi bllokadën e porteve iraniane, duke e lënë konfliktin pa një zgjidhje në horizont.

Si pasojë e kësaj bllokade, çmimet e naftës bruto Brent kanë shënuar rritje drastike duke kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së ushqimeve dhe produkteve të tjera në mbarë botën.

Exit mobile version