UBT News

Përplasjet më të zakonshme në vendin e punës dhe si t’i trajtoni ato

Nga Ali Walker

Në ndërveprimet e përditshme ka njerëz me të cilët përshtateni dhe të tjerë me të cilët përplaseni. Ky është fakt i jetës. Por çfarë mund të bëni kur një koleg i punës ndikon jo vetëm në produktivitetin tuaj, por edhe në harmoninë e të gjithë ekipit?

Me kërkimin tim të doktoraturës në dinamikën e grupit dhe si konsulent mbi kulturën organizative, unë punoj me individë dhe ekipe në të gjitha industritë dhe llojet e organizatave për të ndihmuar njerëzit të përballen me këtë situatë.

Meqënëse pushimet thuajse mbaruan dhe kolegët u kthyen, tani është koha e duhur për të reflektuar mbi marrëdhëniet profesionale – ato që funksionojnë dhe ato që nuk funksionojnë. Fatmirësisht ekziston një strategji për t’i trajtuar këto raporte.

Tri përplasjet më të zakonshme në vendin e punës

Përplasjet në komunikim ndodhin atëherë kur njerëzit kanë mënyra të ndryshme për të përpunuar dhe shprehur informacionin.

Për shembull: James është shef ekzekutiv dhe ky është viti i tij i parë në këtë post. Ai dëshiron të krijojë besim te ekipi i tij ekzekutiv dhe i pëlqen të flasë përmes vendimeve strategjike me grupin. Një anëtar i ekipit është shpesh i qetë gjatë këtyre takimeve; të nesërmen, ai i dërgon Jamesit emaile të gjata duke përshkruar mendimet e tij.

Në vendin e punës, një person mund të dëshirojë të përpunojë mendimet dhe idetë e tij përmes bisedës (përpunimi i jashtëm), ndërsa një tjetër preferon t’i përpunojë mendimet e tij në një reflektim të qetë (përpunim i brendshëm) dhe më pas t’i shprehë idetë e tij ashtu. Kjo shpjegon ndryshimin midis James dhe anëtarit të ekipit të tij.

Në një shembull tjetër, një person mund të perceptojë se është ndërprerë në mënyrë të vrazhdë në një takim, ndërsa personi tjetër thjesht mendon se po shpreh entuziazmin e tij për një ide.

Kushtëzimi kulturor shfaqet atëherë kur njerëzit kanë prejardhje të ndryshme dhe vlera të kundërta marrëdhëniesh në lidhje me rolet gjinore, moshën, arsimin, përkatësinë etnike, fenë, bindjet politike dhe prejardhjen socio-ekonomike – madje edhe qasje të ndryshme kulturore ndaj humorit.

Për shembull: John është mbikëqyrësi i Sue në një institucion korrektues. Johni shpesh bën shaka në kurriz të Sue para kolegëve të tjerë. Kur Sue i shpjegon Johnit se ajo nuk i vlerëson shakatë, John qesh dhe thotë se ajo po e merr atë shumë seriozisht. Këshilla e tij është që të qetësohet nëse dëshiron jetë pjesë e atij ekipi për një kohë të gjatë. Dhe këshilla e Johnit mund të konsiderohet fyese sepse ajo ndihet e parespektuar në punë.

Përplasjet e stilit të punës ndodhin kur njerëzit kanë preferenca të ndryshme në lidhje me mjedisin e tyre të punës: nëse punojnë nga shtëpia apo në zyrë; në një ekip ose në mënyrë të pavarur; dhe nëse e kryejnë punën më herët apo një natë para.

Si të silleni me kolegë të vështirë?

Nëse ndërveprimet tuaja me një bashkëpunëtor shkojnë përtej një përplasjeje personaliteti dhe në territorin e ngacmimit ose shfrytëzimit në vendin e punës, sigurohuni që ta njoftoni menjëherë menaxherin tuaj. Nëse ky nuk është një opsion, bisedoni me HR. Në shumë raste është më e dobishme të gjeni një ndërmjetës.

Për skenare të tjera, ja ku i keni edhe disa rekomandime:

1.Mos i merrni personale

Duhet ta pranoni se përplasjet janë pjesë normale e jetës dhe zgjidhni me qetësi nëse konflikti bie në kategorinë e komunikimit, kushtëzimit kulturor ose përplasjes rreth stilit të punës (ose të gjitha të mësipërmet).

2.Reflektoni

Pyete veten: Pse më provokon sjellja e këtij personi? A më shqetëson ky person sepse ka një tipar që unë do të doja ta kisha? A shfaqin ata një tipar të sjelljes që nuk më pëlqen, por që e shoh te vetja?

3.Diskutoni me ekipin tuaj

Gjeni pak kohë për të biseduar me ekipin tuaj dhe për të kuptuar preferencat e të gjithëve për komunikimin, kulturën dhe stilet e punës.

4.Zhvilloni një plan komunikimi

Bazuar në preferencat e ekipit, zhvilloni një plan që i përshtatet nevojave të secilit person. Krijoni një gjuhë të përbashkët. Identifikoni se si duket një ditë e zakonshme për çdo person që punon në gjendjen e tij të preferuar. Sapo të gjithë në ekip të kuptojnë nevojat e njëri-tjetrit, do të jetë më e lehtë për ta që të sillen me ndjeshmëri dhe respekt./UBTNews/

Exit mobile version