UBT News

Përplasje mes Izraelit dhe Irlandës para ndeshjes, federata izraelite sulmon Hallgrimsson

Federata e Futbollit të Izraelit ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përzgjedhësit të Irlandës, Heimir Hallgrimsson, duke i cilësuar ato si “marrëzi, injorancë dhe hipokrizi”.

Përplasja verbale ka ndodhur në prag të dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve mes Irlandës dhe Izraelit, të cilat janë shoqëruar me debate të shumta për shkak të situatës në Gaza.

Gjatë konferencës për media, Hallgrimsson u pyet se si synon ta mbajë ekipin të përqendruar te futbolli, në një kohë kur në Irlandë janë shtuar thirrjet për bojkotimin e ndeshjeve për shkak të zhvillimeve në Gaza.

Përzgjedhësi irlandez u përgjigj:

“E kam thënë tashmë, ne nuk po luajmë me gjenocidin, por kundër gjenocidit. Po luajmë kundër Izraelit, nuk po luajmë me Izraelin”.

Federata e Futbollit të Izraelit reagoi menjëherë përmes profilit të saj zyrtar në rrjetin social X, duke iu kundërpërgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë trajnerit irlandez.

“Ne kemi kontribuar në botë dhe njerëzimin në shumë fusha, duke fituar një numër mbresëlënës të çmimeve Nobel”.

Në reagimin e federatës izraelite më tej thuhej:

“Fatkeqësisht, ende nuk kemi gjetur një kurë për marrëzinë, injorancën dhe hipokrizinë që tregon trajneri i kombëtares irlandeze”.

Federata vazhdoi me një tjetër deklaratë të drejtpërdrejtë ndaj Hallgrimssonit:

“Ne nuk po luajmë me injorancën, hipokrizinë dhe marrëzinë. Po luajmë kundër një trajneri që i mishëron ato”.

Dy përballjet mes Irlandës dhe Izraelit do të zhvillohen në terrene neutrale. Izraeli do të jetë nikoqir në Debrecen të Hungarisë më 27 shtator, ndërsa ndeshja e kthimit, ku Irlanda do të jetë skuadra pritëse, do të luhet në Baçka Topolë të Serbisë më 4 tetor.

Në Irlandë, prej muajsh është zhvilluar një fushatë për bojkotimin e këtyre ndeshjeve. Më shumë se 160 sportistë irlandezë kanë nënshkruar një letër të hapur, përmes së cilës u kanë bërë thirrje futbollistëve të kombëtares që të veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre dhe të refuzojnë të luajnë.

Megjithatë, Federata Irlandeze e Futbollit (FAI) votoi në një asamble të jashtëzakonshme në korrik që ndeshjet të zhvillohen.

Hallgrimsson ka konfirmuar se disa prej futbollistëve ndihen në siklet për shkak të situatës, por ka theksuar se fakti që ata janë paraqitur në grumbullim tregon, sipas tij, një frymë të veçantë ekipore në rrethana të vështira.

D.L

Exit mobile version