Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama si kandidat i serishëm i LDK-së për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka thënë se në mandatin e dytë do të përfundojë të gjitha projektet që kanë mbetur pa përfunduar, duke theksuar prej tyre sheshin deri tek rrethi me flamur, unazën e brendshme të kryeqytetit, sheshin “George Bush”, mësimin tërë ditorë , rrugën A dhe shumë projekte të tilla.
Rama tha se transformimi i Prishtinës ka filluar para katër viteve, që vendosi themelin për një periudhë afatgjate të qëndrueshme.
Ai përmendi edhe disa projekte që ka përfunduar, si mësimi tërë ditorë, duke e marrë shembull se jo vetëm që u ndihmon pesë mijë familjeve me mësim por edhe në mënyrë ekonomike.
Ndërsa unaza e brendshme, Rama theksoi se do të lirojë kaosin në trafik dhe do t’ua lehtësojë punën ambulancave, policisë, biçikletave e këmbësorëve, raporton KosovaPress.
Në garën për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit janë edhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate.