UBT News

Përmes skulpturës “Mos ik” bëhet thirrje për mosbraktisjen e Kosovës

Në sheshin “Skëndërbeu” në kryeqytet tash e sa ditë është instaluar skulptura “Mos ik” e artistit Eroll Murati. Mesazhi i kësaj vepre artistike është që qytetarët të mos largohen nga Kosova dhe Ballkani.

Skulptura multimediale, e cila është e lartë gjashtë metra, është e drejtuar kah perëndimi. Krijuesi i saj tregoi më në detaje mbi idenë dhe mesazhin e veprës.

“Ideja ka qenë brenga e të rinjve që po ikin nga Kosova, mirëpo jo vetëm të rinjtë, por edhe grupmoshat e profesionet tjera. Andaj kjo më shtyu ta realizojë këtë vepër multimediale që tregon shumë”, deklaroi ai në një intervistë në emisionin “Campus Am” në Radio Campus.

Skulptura është e punuar me gjemba dhe me një material të veçantë. Sipas autorit, gjembat tregojnë vrazhdësi dhe ngurtësi brenda një personi, shteti, institucioni, që sipas tij përkon me realitetin me të cilin përballen qytetarët.

Ekspozita personale e artistit Murati do të qëndrojë e hapur deri në fillim të muajit mars, saktësisht më 5 mars./UBTNews/

Exit mobile version