UBT News

Përmbytjet në Nepal: Ushtria shpëton 900 të lënduar, numri i viktimave arrin në 475

Ushtria e Nepalit ka njoftuar se ka arritur të shpëtojë 900 persona nga zonat më të goditura nga përmbytjet shkatërruese, përfshirë rajonet Rasuwa dhe Nuwakot. Mes të shpëtuarve ndodhen edhe 119 shtetas të huaj, prej të cilëve 92 janë indianë — grupi më i madh i vizitorëve të huaj të prekur nga kjo katastrofë natyrore.

Sipas zëdhënësit të ushtrisë, Gjeneral Brigade Rajaram Basnet, të gjithë të shpëtuarit janë të lënduar dhe po marrin trajtim mjekësor në spital. Ai tha se reshjet e pandërprera të shiut dhe moti i paparashikueshëm po e vështirësojnë punën në terren.

“Pavarësisht pengesave, po bëjmë çmos për të intensifikuar operacionet e shpëtimit në koordinim të ngushtë me të gjitha palët. Në gjithë jetën time nuk kam parë një katastrofë të këtyre përmasave,” u shpreh Basnet.

Policia e Nepalit konfirmoi se deri në orët e mëngjesit të së premtes, numri i personave që kanë humbur jetën vetëm në rajonin Resuwa ka arritur në 475. Ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në terren si dhe punën për zhbllokimin e rrugëve të zëna nga balta e rrënojat.

Lutja e dhimbshme e familjes britanike: “Ju lutemi, na ndihmoni ta gjejmë”

Mes të zhdukurve nga përmbytjet e së mërkurës është edhe 51-vjeçarja me shtetësi britanike, Neetu Goyal Tiwari. Ajo udhëtoi nga Londra në drejtim të Katmandusë më 14 gusht për një pelegrinazh shpirtëror, ndërsa kontakti i saj i fundit me familjen ishte në pikën kufitare të Gyirong-ut.

I vëllai i saj, Naresh Goyal, mes lotësh bëri thirrje publike për ndihmë përmes rrjetit BBC:

“Shkuarja në këtë pelegrinazh ishte ëndrra e saj, ishte shumë e lumtur dhe e ngazëllyer. Kemi thirrur në çdo linjë emergjente të qeverisë indiane dhe kemi kontaktuar Ambasadën Britanike në Katmandu. Ju lutemi, na ndihmoni ta gjejmë, jemi të gjithë të terrorizuar”. /BBC/

 

Exit mobile version