Përmbytjet katastrofike kanë goditur disa qytete në Bosnje dhe Hercegovinë, duke rezultuar në humbjen e të paktën 14 jetëve, kryesisht në komunën e Jabllanicës. Situata ka qenë alarmante pas reshjeve të dendura të shiut që filluan natën e kaluar, duke shkaktuar përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu.
Sipas autoriteteve lokale, shumë individë janë raportuar të lënduar, me shërbimet emergjente duke u angazhuar për të ofruar ndihmë. Kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Nihad Uk, ka njoftuar se spitali i përgjithshëm dhe Qendra Klinike në Sarajevë do të pranojnë pacientë nga zonat e prekura.
Në një seancë urgjente, Qeveria e Kantonit të Sarajevës ka vendosur të dërgojë ndihma në zonat më të goditura dhe ka aktivizuar të gjitha kapacitetet e mbrojtjes sociale për t’u ofruar strehim fëmijëve dhe të moshuarve në nevojë.
Për më tepër, Presidenca e Bosnje-Hercegovinës ka marrë vendimin për angazhimin e Forcave të Armatosura për të ndihmuar në zonat e prekura nga përmbytjet.
Komunikacioni është ndërprerë në shumë rrugë kryesore, përfshirë linjën hekurudhore Sarajevë-Çaplina, për shkak të dëmeve serioze në infrastrukturë. Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në rrugë për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut dhe ujit.
Organizata humanitare Pomozi.ba ka nisur një apel për ndihmë për viktimat e përmbytjeve, duke hapur një numër telefoni humanitar dhe një platformë online për donacione.
Anëtari i Presidencës, Zheljko Komshiq, ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka theksuar angazhimin e institucioneve për të ndihmuar ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Situata vazhdon të jetë kritike, me autoritetet që punojnë për të menaxhuar pasojat e përmbytjeve dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme./TRT BALLKAN/