Turneu Beach Volley Kamenica 2026 është përmbyllur me sukses në kuadër të Kamenica Summer Fest 2026, duke sjellë ndeshje cilësore, rivalitet sportiv dhe atmosferë të shkëlqyer gjatë gjithë garës.
Në konkurrencën e femrave, titulli i kampioneve i takoi çiftit Xhudjena Kruti dhe Lyra Pireva, të cilat dominuan turneun me paraqitje të shkëlqyera dhe siguruan vendin e parë.
Në konkurrencën e meshkujve, fitues u shpallën Ermal Maliqi dhe Erion Bajrami, të cilët triumfuan pas një serie paraqitjesh bindëse, duke e mbyllur turneun në krye të renditjes.
Turneu u organizua nga Komuna e Kamenicës në kuadër të Kamenica Summer Fest 2026, duke konfirmuar përkushtimin për promovimin e volejbollit në rërë dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive e rekreative gjatë sezonit veror.
Me këtë rast, Federata e Volejbollit e Kosovës shprehu urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për Komunën e Kamenicës dhe të gjithë organizatorët për organizimin e suksesshëm të turneut. Federata gjithashtu përgëzoi fituesit për suksesin e arritur dhe falënderoi të gjithë sportistët dhe pjesëmarrësit, të cilët kontribuuan në realizimin e një tjetër aktiviteti të suksesshëm të beach volley në Kosovë.
D.L
