Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka përmbyllur sot grumbullimin treditor, i cili u zhvillua në kuadër të përgatitjeve dhe seleksionimit të ekipit për ndeshjet kualifikuese të muajit shtator.
Kosova është pjesë e një grupi me Azerbajxhanin, Irlandën dhe Shqipërinë, me këtë të fundit që do të jetë nikoqire e mini-turneut kualifikues.
Gjatë tri ditëve të grumbullimit, futbollistet e reja dardane shfaqën përkushtim, disiplinë dhe angazhim maksimal në seancat stërvitore. Stafi teknik, i udhëhequr nga përzgjedhësja Sanije Krasniqi, pati mundësinë të vlerësojë nga afër formën dhe cilësitë e secilës lojtare.
Në ditën e fundit, ekipi zhvilloi edhe një ndeshje kontrolluese, e cila shërbeu si një tjetër mundësi për stafin teknik për të testuar futbollistet dhe për të krijuar një pasqyrë më të qartë për formacionin që do të përfaqësojë Kosovën në sfidat e shtatorit.
Grumbullimi i radhës i Kosovës U17 do të zhvillohet në prag të ndeshjeve kualifikuese të shtatorit, ku vajzat dardane do të synojnë paraqitje sa më të mira dhe rezultate pozitive në mini-turneun në Shqipëri.
D.L
