Në një ceremoni solemne, Forca e Sigurisë së Kosovës ka shpallur sot fituesit e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2026”, pas një sfide intensive dyjavore.
Gara, e cila u zhvillua nga 13 deri më 17 prill, bëri bashkë 44 konkurrentë, ku gjysma ishin pjesëtarë të FSK-së dhe pjesa tjetër ushtarakë nga vendet partnere si SHBA-të (Ajova dhe Corps V), Mbretëria e Bashkuar, Italia, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në kategorinë e FSK-së, titullin e më të mirit e rrëmbeu Elvis Qitaku nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë, i ndjekur nga Ismail Ahmeti në vendin e dytë dhe Sead Veseli në vendin e tretë. Ndërkohë, te radhët e ndërkombëtarëve, ushtarakët e Republikës së Shqipërisë dominuan plotësisht podiumin. Hil Mala u shpall “Ushtari më i mirë ndërkombëtar 2026”, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë u takuan kolegëve të tij, Hambel Peçi dhe Marjus Cauli.
Gjatë kësaj gare, ushtarakët u sfiduan në disiplina të rënda si testi fizik, navigimi tokësor, gjuajtja me armë, kalimi i poligonit të besueshmërisë dhe marshimi.
Pjesëmarrja e ushtrive të NATO-s në këtë aktivitet u vlerësua si një dëshmi e qartë e profesionalizmit të FSK-së dhe ndërveprueshmërisë së lartë me partnerët euroatlantikë.
