Në kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog është përmbyllur gara tradicionale “Ujku Garues 2026”, e organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore (KFT), ku morën pjesë 20 ekipe nga njësitet e ndryshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Vendi i parë në këtë garë ushtarake i takoi Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë (K2B2), vendi i dytë u fitua nga Policia Ushtarake e FSK-së, ndërsa vendin e tretë e zuri Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë (K2MB).
Gara “Ujku Garues”, e cila mbahet që nga viti 2015 si rezultat i bashkëpunimit mes nënoficerëve të FSK-së dhe kontingjentit slloven, testoi pjesëmarrësit në disiplina të rënda taktike e fizike. Pjesë e sfidave ishin vrapimi, kalimi i poligonit taktik, shtyrja e autoblindës HMMWV, bartja e municionit dhe e të lënduarve, si dhe qitja me armë e hedhja e granatës.
Aktiviteti u shqua për profesionalizëm të lartë, përgatitje intensive fizike dhe shpirt garues mes ekipeve të FSK-së.
