Si sot më 15 nëntor 1944, vdiq Edith Durham, e cilësuar si mbretëresha e maleve.Për 20 vjet udhëtoi dendur nëpër Ballkan, por ajo që i rrëmbeu zemrën ishin shqiptarët dhe Shqipëria që atë kohë ishte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Evropës.Durham punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi.
Më 1913, shëndeti i saj u dobësua dhe mjeku i rekomandoi pushim. Kështu, Edith Durham u nis nga Londra në Trieste, në Kotor, në brigjet e Dalmacisë dhe pastaj me rrugë tokësore në Mal të Zi. Ky ishte kontakti i parë me Ballkanin, që do të mbushte pjesën në vazhdim të jetës së saj.
Edith Durham udhëtoi gjerësisht në Ballkan gjatë 20 viteve të ardhshme, duke u përqendruar veçanërisht në Shqipëri, atëherë një nga zonat më të panjohura dhe më të pazhvilluara të Evropës. Ajo punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar. Puna e saj ishte e një rëndësie të mirëfilltë antropologjike dhe për këtë arsye, Edith Durham u pranua anëtare e Institutit Antropologjik Mbretëror Britanik.
Por ishin edhe shkrimet e saj që i dhanë asaj famën e veçantë. Ajo shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, nga të cilët “Shqipëria e Epërme” (High Albania) i shkruar në 1909, është më i njohuri dhe që ende vazhdon të konsiderohet nga të huajt si libër-udhëzues për të njohur dhe kuptuar zakonet e malësisë së veriut.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot disa nga shënimet personale te Edith Durham mbi situatën politike në Shqipëri (dorëshkrim në anglisht).ATSH