Sot kujtojhet kontributi i një nga figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ndre Mjeda, i cili u nda nga jeta para 87 vitesh. Lindur më 20 nëntor 1866 në Shkodër, Mjeda u ngrit si një intelektual i shquar dhe poet i talentuar që shënoi një epokë në historinë e kulturës shqiptare.
Ndërsa ishte shumë i ri, Mjeda tërhoqi vëmendjen e jezuitëve dhe mori shkollimin e tij fetar në Spanjë, Itali, dhe Poloni. Ai ndoqi studimet në retorikë, latinisht dhe italisht në Kroaci dhe më pas në kolegje gregoriane në Romë dhe Kieri. Me kalimin e kohës, Mjeda shfaqi një angazhim të thellë për çështjet kombëtare dhe kulturen shqiptare.
Në vitin 1908, ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i Shkodrës dhe u angazhua për përdorimin e alfabetit latin në gjuhën shqipe. Ai gjithashtu u bë anëtar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit të Njësuar të Shqipes dhe ndihmoi në zhvillimin e letërsisë dhe gjuhësisë shqiptare.
Si poet, Mjeda ishte i njohur për shkrimet e tij të thella dhe të ndjeshme. Vepra e tij më e njohur, “Vaji i Bylbylit”, është një shembull i shkëlqyer i poezisë romantike shqiptare, ndërsa “Andrra e Jetës” dhe “Lissus, Scodra” tregonin një qasje të re dhe të thellë në historinë dhe kulturën shqiptare.
Pas një periudhe të angazhimit të gjatë politik, Mjeda u tërhoq nga jeta publike dhe vazhdoi punën e tij si prift dhe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Shkodër. Ai vdiq më 1 gusht të vitit 1937, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe politike për kombin shqiptar.
Me kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë, gjuhësisë dhe aktivizmit kombëtar, Ndre Mjeda mbetet një figurë shumë e rëndësishme në historinë dhe identitetin kulturor të Shqipërisë./UBTNews/