UBT News

Përkujtohet Albert Vërria, “kapedani” i kinematografisë shqiptare

Me rastin e ditëlindjes së Albert Vërrisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, e kujtoi sot me nderim dhe respekt Artistin e Popullit, aktorin e mirënjohur, duke i dedikuar një pasazh nga filmi “Kapedani”.

“Aktor i madh i dhjetëra roleve në kinematografinë shqiptare, që sot janë ndër të preferuarat e gjithë dashamirësve të kinematografisë shqiptare”, shkroi MEKI për mjeshtrin Vërria.

Albert Vërria lindi në Fier më 3 shtator 1936 dhe u nda nga jeta në qytetin e Vlorës më 17 gusht 2015. Pasi përfundoi shkollën e mesme bujqësore, gjatë viteve 1956–1959 punoi si zooteknik. Ai mbaroi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” (1959–1963) dhe në vitin 1963 u emërua aktor në Teatrin e Vlorës.

Në Teatrin e Vlorës, Vërria u angazhua në mbi 90 role, ku spikati roli i Veipit në dramën “Familja e peshkatarit”. Njohur për interpretimet e tij të thella si aktor karakteresh, ai realizoi mbi 40 role në kinematografi, përfshirë xha Sulon në “Kapedani” dhe Nuri Beun në “Koncert në vitin 36”, role që janë të skalitura në kujtesën e publikut. Në vitin 1979, Albert Vërrisë iu dha titulli “Artist i Popullit”./UBTNews/

 

Exit mobile version