Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot, më 15 janar, heroi e pavdekshëm të popullit shqiptar, Isa Boletinin, në ditën e 161-vjetorit të lindjes së tij, një ngjarje e rëndësishme për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Isa Boletini, i lindur në fshatin Boletin të Mitrovicës më 15 janar të vitit 1864, ishte një nga personalitetet më të shquara të historisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Ai u dallua si luftëtar dhe udhëheqës ushtarak, si dhe si organizator dhe drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar. Me veprën dhe sakrificat e tij, Isa Boletini shënoi një kapitull të lavdishëm në luftën për liri dhe pavarësi, duke u bërë një simbol i krenarisë dhe qëndresës kombëtare.
Në vitet 1908-1912, Isa Boletini ishte një nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjeve të mëdha popullore kundër sundimit osman në Drenicë-Mitrovicë, Shtime-Carralevë, Podujevë-Prishtinë dhe rajone të tjera. Ai udhëhoqi me guxim dhe vendosmëri popullin shqiptar në përpjekjet e tij për të çliruar trojet shqiptare nga okupatorët e huaj, duke ngritur flamurin e lirisë dhe pavarsisë në një periudhë të vështirë dhe plot pasiguri.
Gjatë ditëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Isa Boletini luajti një rol të rëndësishëm, duke u vendosur në krye të përfaqësuesve të Kosovës dhe duke u ndodhur krah Ismail Qemalit në Vlorë, ku u miratua akti i rëndësishëm i shpalljes së Pavarësisë. Pas kësaj ngjarje historike, ai udhëhoqi me vendosmëri kundërshtimin e ndarjes së Shqipërisë, duke marrë pjesë aktivisht në delegacionin shqiptar që shkoi në Londër në vitin 1913. Atje, ai kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha, të cilat synonin copëtimin e Shqipërisë, duke mbrojtur me çdo kusht integritetin territorial të atdheut.
Pasi kaloi në Kosovë, Isa Boletini vazhdoi të luftonte për lirinë dhe të drejtat e popullit shqiptar. Ai organizoi dhe udhëhoqi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë, duke u bërë një simbol i pavdekshëm i luftës për atdhenë. Me mençurinë dhe guximin e tij, ai fitoi një autoritet të pashoq si udhëheqës popullor, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme.
Më 23 janar 1916, Isa Boletini ra viktimë e një atentati të pabesë nga shovinistët malazezë në Podgoricë. Vrasja e tij, e kryer në mënyrë të pabesë, ishte një goditje e rëndë për lëvizjen kombëtare, por përkundër kësaj, emri dhe vepra e Isa Boletinit mbeten një burim frymëzimi dhe një simbol i luftës për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar./UBTNews/