Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët organizoi sot një ngjarje përkujtimore për të shënuar 159-vjetorin e lindjes së poetit dhe publicistit të shquar arbëresh, Zef Skiroi.
Zef Skiroi, i lindur më 10 gusht 1865 në Hora e Arbëreshëvet dhe i ndjerë më 17 shkurt 1927 në Napoli, ka qenë një figurë e rëndësishme në kulturën arbëreshe, duke u shquar si poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf, gazetar dhe publicist.
Në moshën 9-vjeçare, Skiroi e filloi karrierën e tij krijuese me një vjershë kushtuar Skënderbeut, duke vendosur kështu bazat për veprat e tij të mëvonshme. Ai studioi në Seminarin Shqiptar të Palermos, ku u njoh me traditën e kulturës shqiptare dhe atë klasike, duke studiuar autorë si Dante, Servantesi, Gëte dhe Shileri.
Në vitin 1887, së bashku me Françesk Petën, themeloi revistën “Arbëri i ri” në Palermo dhe botoi përmbledhjen e tij të parë me vjersha. Pas përfundimit të studimeve për drejtësi në vitin 1890, ai u emërua docent i letërsisë antike në “Liceun Garibaldi” të Palermos.
Në moshën 35-vjeçare, Skiroi arriti të emërohej në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit. Aktiviteti i tij albanologjik vazhdoi me botime të rëndësishme, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese të ndryshme. Veprat e tij kryesore përfshijnë “Mili e Hajdhia”, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”.
Zef Skiroi është kujtuar si një figurë e rëndësishme e kulturës arbëreshe, dhe veprat e tij vazhdojnë të kenë një ndikim të qëndrueshëm në studimet dhe kulturën shqiptare. Kontributet e tij në fushën e albanologjisë, letërsisë dhe folklorit janë të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për përhapjen e njohurive mbi historinë dhe kulturën shqiptare. Në përkujtimin e tij, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët vazhdon të promovojë dhe vlerësojë punën e tij të jashtëzakonshme./UBTNews/