UBT News

Përkrahu protestat në Iran, Priyanka Chopra kritikohet pasi nuk bëri të njëjtën për gratë në Indi

Aktorja indiane dhe ambasadorja e vullnetit të mirë të Kombeve të Bashkuara, Priyanka Chopra po përballet me kritika për dënimin e saj të vdekjes në burg të Mahsa Amini në Iran, ndërsa nuk foli për çështjet e grave në shtëpi.

Javën e kaluar, ylli 40-vjeçar i Bollywood-it, e cila tani ndodhet në Shtetet e Bashkuara, postoi mbështetjen e saj për protestat në Iranin me shumicë myslimane.

“Zërat që flasin pas shekujsh heshtjeje të detyruar, me të drejtë do të shpërthejnë si vullkan! Dhe ata nuk do – dhe nuk – DUHET të pengohen”, ka shkruar ajo në Instagram, ku numëron më shumë se 82 milionë ndjekës.

Pas vdekjes së 22-vjeçares Amini pasi ajo ishte arrestuar për “hixhab të pahijshëm”, mijëra gra iraniane dolën në rrugë, duke denoncuar autoritetet iraniane, duke hequr hixhabet e tyre dhe duke prerë flokët në shenjë solidariteti. Dhjetra protestues dhe forca të sigurisë raportohet se janë vrarë në protesta gati një muajsh.

Kritikët, megjithatë, e kanë akuzuar Chopran për “zemërim selektiv” dhe “standarde të dyfishta” duke mos folur në emër të grave muslimane të Indisë, të cilat janë përballur me sulme për veshjen e hixhabit.

Nabiya Khan, një poete dhe aktiviste me qendër në kryeqytetin Nju Delhi, i tha Al Jazeera-s se priste që një personazh i famshëm indian të fliste për persekutimin e pakicave në vendin e saj.

“Ata kanë përgjegjësinë dhe zërin për të folur, por zgjedhin të shikojnë nga ana tjetër. Personat e famshëm indianë janë shumë të shpejtë për të komentuar çdo gjë që ndodh jashtë vendit – e cila është e drejtë, nëse ata nuk do të kishin mbyllur një sy ndaj asaj që po ndodh në Indi” tha ajo.

Khan tha se mijëra gra muslimane në shtetin jugor të Karnatakës nuk janë në gjendje të ndjekin shkolla dhe kolegje për shkak të ndalimit të mbajtjes së hixhabit në institucionet arsimore nga qeveria, e cila “ka nxjerrë jashtë ligjit besimin e tyre”.

“Disi nuk i bie në sy Priyanka Chopras, e cila është e ashtuquajtura kampione e fuqizimit të grave”, tha Khan për Al Jazeera.

“Njerëz të tillë e paraqesin Indinë si një vend në lulëzim ku asgjë nuk duhet korrigjuar. Kjo përbën mundësimin e ngacmimit të pakicave në Indi”.

Javët e fundit, një numër grash të njohura në Perëndim kanë prerë flokët e tyre për të shprehur solidaritetin e tyre me protestat në Iran. Një prezantuese e lajmeve që punon për rrjetin India Today bëri të njëjtën gjë gjatë emisionit të saj gjatë fundjavës.

Aktivistët myslimanë në Indi nuk e pritën mirë aktin nga një kanal lajmesh që është akuzuar për përhapjen e urrejtjes kundër muslimanëve dhe për të qenë nën kontrollin e qeverisë.

Në vitin 2020, Chopra u kritikua poashtu se foli për protestat “Black Lives Matter” në SHBA pas vrasjes së George Floyd, por nuk bëri të njëjtën gjë për pakicat në Indi./UBTNews/

Exit mobile version