Një muralë e veçantë po lind në godinën e Radio Televizionit Shqiptar, e cila do të përjetësojë kujtimin e këngëtares legjendare shqiptare, Vaçe Zela. Këngëtarja, e cila ndërroi jetë më 6 shkurt 2014, është nderuar me këtë vepër arti për të ruajtur gjurmën e saj të pashlyeshme në muzikën shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale disa momente nga puna për krijimin e këtij muralje, e cila po realizohet nga artisti ndërkombëtar Maximiliano Debasko. Rama ka shpërndarë mesazhin e tij: “Muralja e bukur në Tiranë, ku po përjetësohet këngëtarja e madhe shqiptare Vaçe Zela.”
Maximiliano Debasko, një artist me reputacion ndërkombëtar, ka realizuar më parë muralen e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në Tiranë dhe një vit më parë ka pikturuar portretin e yllit të futbollit ndërkombëtar, Lionel Mesi.
Iniciativa për këtë muralë është pjesë e “Mural Fest Tirana”, një projekt nën drejtimin e artistit të njohur Helidon Haliti. Haliti shprehu për mediat se ideja për të përjetësuar Vaçe Zelën në këtë mënyrë ka lindur nga dëshira për të nderuar një nga ikonat më të mëdha të kulturës shqiptare, e cila la një gjurmë të thellë në muzikën e vendit.
Vaçe Zela, e njohur si “Artistja e Popullit”, është një figurë që ka lënë një trashëgimi të rëndësishme me këngët e saj të paharruara. Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut përfshijnë: “Fëmija i parë”, një kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçe Zela e këndoi në Festivalin e Parë të Këngës në vitin 1962; “E dua vendin tim”; “Djaloshi dhe shiu”; “Dritaren kërkoj”; “Lumi Ebro”; “Për ty o këngë”; “Manushaqja”; dhe “Esperanca”, një këngë kubane e kënduar në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik. Po ashtu, këngët e saj nga filmi “Karmen” si “Një zambak i bardhë në gur” janë po ashtu të paharruara.
Vaçe Zela ka bashkëpunuar me disa nga kompozitorët më të njohur të muzikës së lehtë shqiptare, si Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi dhe Agim Prodani, duke kontribuar në pasurimin e repertorit muzikor shqiptar./UBTNews/