Tottenham Hotspur, raportohet se është në prag të kompletimit të transferimit të anësorit të Interit, Ivan Perisic.
Pas shtatë vitesh kontratë me gjigantët italianë, Perisic mësohet se ka zgjedhur të largohet nga “San Siro” për fazën e fundit të karrierës së tij.
33-vjeçari ka qenë i lidhur më parë me Chelsean, por duket se objektivi i vetëm i kroatit është një ribashkim me Antonio Conten te “Spursat”.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Perisic është tashmë në Londër për t’iu nënshtruar testeve mjekësore me klubin e Premier Ligës.
Raporti pretendon se palët kanë arritur një marrëveshje për një kontratë dyvjeçare dhe kroati do të jetë blerja e parë e skuadrës angleze për këtë merkato.