Presidentja e Oscars i ka thënë një auditori të mbushur me yje se përgjigja e Akademisë pasi Will Smith goditi Chris Rock-un ishte “e papërshtatshme”.
Duke folur në drekën e të nominuarve në Los Angeles, Janet Yang tha se në të ardhmen Akademia “duhet të veprojë shpejt, me dhembshuri dhe vendosmëri”.
Smith e goditi Rock-un në skenë në ceremoninë e vitit të kaluar pasi Rock bëri shaka me gruan e tij. Disa minuta më vonë, ai duke qarë pranoi çmimin për aktorin më të mirë në filmin “King Richard”.
Ndaj akademisë pati kritika që lejoi vazhdimin e shfaqjes me prezencën e Will Smith pavarësisht sulmit.
“Ajo që ndodhi në skenë ishte plotësisht e papranueshme dhe përgjigja nga organizata jonë ishte e pamjaftueshme”, deklaroi ajo mes tjerash.
“Ne mësuam nga kjo se Akademia duhet të jetë plotësisht transparente dhe e përgjegjshme në veprimet tona, dhe veçanërisht në kohë krize, ne duhet të veprojmë me shpejtësi, dhembshuri dhe vendosmëri për veten dhe industrinë tonë”, deklaroi ajo tutje.
Ajo po fliste në Beverly Hills në dhomën e të nominuarve, ku merrnin pjesë Brendan Fraser, Angela Bassett, Tom Cruise dhe Michelle Yeoh.
Pas atij incidenti, Akademia e rishikoi rastin dhe se si u trajtuan pasojat. Pas saj u mor vendim që t’i ndalohet pjesëmarrja e Smith në aktivitetet e Akademisë për 10 vjet./UBTNews/