Ka përfunduar trajnimi disa ditor për implementimin e sistemit digjital “MyFFK” i cili synon dixhitalizimin e futbollit kosovar.
Pas trajnimit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka pritur në takim zyrtarët e Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite, Mohamed Mansour dhe Khalid Alhëiti, përgjegjës të teknologjisë dhe inovacioneve, të cilët ishin në Kosovë për këtë trajnim.
Sipas Ademit, ata ishin shumë të kënaqur me performancën e administratës së FFK-së, zyrtarëve të klubeve, delegatëve të ndeshjeve dhe Lidhjeve Rajonale, duke u larguar nga Kosova me përshtypjet më të mira që ky sistem shumë i avancuar tashmë ka gjetur zbatim në Kosovë.
Ademi gjithashtu ka bërë të ditur se administrata e FFK-së, nga dita e hënë, ka filluar të punojë me këtë sistem, ndërkohë që nga qershori do të jetë obligativ edhe për të gjitha garat.