Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka përfunduar seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu i cili po akuzohet për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë periudhës sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Bashkë me Aliun, të akuzuar janë edhe Ardian Olluri, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka, Mimoza Berisha Prestreshi si dhe Zejnulla Rexhepi. Të gjitha palët e akuzuara u deklaruan të pafajshëm për veprat të cilat i ngarkon aktakuza.
Prokurorja e rastit, Dulina Hamiti derisa e ka lexuar aktakuzën sipas të cilës thuhet se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar nuk e kanë zbatuar planin zhvillimor urban.
Ardian Olluri, Bahtije Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi në cilësinë e personave zyrtar nuk kanë zbatuar vendimin të ministrisë së mjedisit dhe aktvendimin e gjykatës themelore në Prishtinë dhe atë të Apelit.
Kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi mori aktvendim që shqyrtimi i dytë fillestar të mbahet më 7 qershor nga ora 10:00.
Seanca e kaluar dështoi pasi në shqyrtimin fillestar nuk ishte e pranishme e akuzuara, Bahtije Uka e cila kishte probleme shëndetësore.