UBT News

Përfundon Akademia Verore e Aktrimit në UBT: Studentët trajtojnë lëvizjen skenike bashkë me aktorin Edlir Gashi

Në valën e edicioneve të suksesshme të “Global Fest”, ka përfunduar zyrtarisht edhe Akademia Verore e Aktrimit në UBT. Ky edicion mblodhi studentë dhe të apasionuar pas artit skenik, duke u ofruar atyre një platformë unike të trajnimit intensiv dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me profesionistë të industrisë së teatrit dhe televizionit.

Si në çdo akademi tjetër verore të organizuar këtë vit nga UBT, ku theksi kryesor u vë mbi praktikën dhe inovacionin, edhe kjo e aktrimit solli një program të pasur e dinamik. I ftuari special i këtij edicioni ishte aktori i mirënjohur Edlir Gashi, i angazhuar në shumë shfaqje teatrore si dhe në disa prej serialeve më të ndjekura vendore.

Gjatë ligjëratave dhe punëtorive të tij, Gashi trajtoi temën qendrore: “Movement, space, and ensemble work” (Lëvizja, hapësira dhe puna në ansambël). Ai zgjodhi të ndajë me studentët eksperiencat e tij të gjata mbi skenën dhe para kamerave, duke u zbërthyer atyre sfidat reale të profesionit të aktorit.

Përtej ligjërimit teorik, akademia u karakterizua nga një ndërveprim i vazhdueshëm artistik. Aktori Gashi i inkuadroi studentët në ushtrime të ndryshme praktike dhe lojëra artistike koncentrimi, të cilat ndihmojnë në lirimin e trupit, zotërimin e hapësirës skenike dhe rritjen e vëmendjes gjatë performancës në grup.

Studentët patën mundësinë të kalojnë nëpër sesione intensive të reflektimeve mbi teknikën e lëvizjes dhe koordinimit, duke i përmbyllur punimet me një prezantim të përbashkët ku testuan të gjitha njohuritë e fituara.

Me përfundimin e kësaj akademie, UBT dëshmoi edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm mësimdhënie akademike, por edhe mundësinë për të prekur nga afër industrinë përmes bashkëpunimit me emra të dëshmuar të skenës kosovare.

 

Exit mobile version