Nga Altin Ademi
Në parim, të gjithë jemi të përfaqësuar në politikë. Këtë përfaqësim e autorizojmë një herë në katër vite sipas ciklit të rregullt zgjedhor, përjashtuar situatat kur qytetarëve iu imponohet të përcaktohen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por kjo është vetëm përshtypja. Më e madhe se përshtypja është pikëpyetja, se sa realisht jemi të përfaqësuar, si dhe cila anë esencialisht thelbësore e jona, përfaqësohet nga të zgjedhurit tanë?
Kjo për faktin se ajo çfarë rëndom ndodhë në Kosovë në mes të përfaqësuesve dhe të përfaqësuarve, karakterizohet nga një natyrë krejt tjetër, në raport me atë se çfarë në të vërtetë nënkupton përfaqësimi politik.
Kësaj ngatërrese, tek modeli politik kosovar i kontribuojnë dy elemente. Së pari, për të qenë të përfaqësuar politikisht, duhet të ekzistojë një vetëdije e gjerë rreth çështjeve për çka duam të përfaqësohemi, e cila shpeshherë mungon si e tillë. Së dyti, sepse në filtrat politik, shpesh herë ndodhë që nuk arrijnë të dalin në pah, ata që i përgjigjen përfaqësimit që duam.
Rrjedhimisht, qytetarët janë të përfaqësuar më shumë nga mungesa, sesa nga alternativa. Më shumë nga mos besimi se gjërat mund të ndryshohen, sesa nga besimi se ato ndryshohen nga përfaqësuesit e tyre. Dhe kjo përbën një të çarë të madhe në besimin ndaj demokracisë.
Ky sindrom, si cikël zakonisht më shumë i atribuohet mazhorancës që është e veshur me kodet e pushtetit, sesa opozitës që kërkon të imponohet si alternativë përballë saj. Në fund të fundit, opozitës i takon fjala e për pozitën flet puna.
Një situate të tillë, krejt natyrshëm i kontribuon edhe mungesa e idesë politike që i përgjigjet formatit politik në të cilën bëjmë pjesë, ngase kërkesat dhe formati duhet të jenë në balanc me njëra-tjetrën. Si pasojë, shpesh herë pritjet e qytetarëve nga pushteti mund të jenë në shpërputhje me rolin e përfaqësuesve të tyre. Kjo bëhet edhe më e komplikuar kur i shtohet fakti se përfaqësuesit politik nuk shquhen për një zell të madh që ta sqarojnë këtë gjë. Madje këtyre të fundit, jo vetëm që iu konvenon paqartësia e pritjeve të qytetarëve, por shpesh herë bëhen edhe autorë me zë të thellimit të këtyre paqartësive.
Por çfarë ndodhë me përfaqësimin? Si mund ta kuptojmë se a jemi, apo deri në ç’masë jemi të përfaqësuar politikisht? Për të kuptuar më mirë se çdo të thotë përfaqësim politik, duhet kuptuar fillimisht katër parakushte, të cilat duhet të përmbushen në mënyrë që përfaqësimi politik të jetë i vërtetë, e pa të cilat, ai nuk është i tillë.
Së pari, është ekzistenca e një “trupi politik” që kërkon të përfaqësohet dhe kjo rëndom i atribuohet qytetarëve. Nuk do shumë hamendje se pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve në vendimmarrje apo “demokracia direkte”, shpesh herë nuk është as e mundur dhe as nuk garanton ndonjë cilësi më të mirë qeverisje sesa “demokracia përfaqësuese”. Prandaj, meqenëse jo të gjithë qytetarët mund të marrin pjesë në vendimmarrje, ata kërkojnë të përfaqësohen nga të zgjedhurit që kanë bindje, vizion e atribute të përafërta me ta.
Së dyti, është ekzistenca e një “strukture politike” që kërkon të na përfaqësojë dhe kjo rëndom i atribuohet partive politike, bashkë me kandidatët individual që veprojnë brenda tyre. Në mos për asgjë tjetër, partitë politike përpiqen të shërbejnë si referenca të mobilizimit rreth rrëfimeve në të cilat qytetarët duan të besojnë, e përmes të cilave duan të materializohen.
Së treti, është ekzistenca e “diçkaje” që përfaqësohet dhe kjo rëndom i atribuohet bindjeve, perspektivave, interesave dhe opinioneve të qytetarëve. Natyrisht se gjithsecili kemi bindje e vetëdije politike. Kemi një mënyrë të menduarit politik rreth strukturës shoqërore dhe se si duhet organizuar ajo. Përputhja e këtyre bindjeve me ato të kandidatëve dhe partive, janë pikërisht anët që na shtyjnë të besojmë tek kandidatët e caktuar apo subjektet e caktuara. Madje ky rrafsh është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse këtu shënohet dallimi themelor mes sferës private që na takon ekskluzivisht neve, me sferën publike që na takon të gjithëve si bashkësi, të cilën duam ta vëmë në jetë, përmes përfaqësuesve tanë të zgjedhur.
Së katërti, është ekzistenca e “ambientit” ku ndodhë përfaqësimi dhe kjo rëndom i atribuohet institucioneve, siç është Kuvendi, qeveria, si dhe organet tjera publike. Përmes përfaqësuesve brenda këtyre institucioneve, qytetarët janë të prirur të kërkojnë dhe të marrin shërbimet për çka kanë besuar dhe investuar me votë, nëse jo direkt për vetën e tyre, natyrisht se për bashkësinë politike si të tillë.
Por këto katër shtylla, kanë formula dhe modele që lidhen me përfaqësimin, ku vënia apo mosvënia e tyre në jetën politike, përcakton shkallën e përfaqësimit të vërtetë politik që iu bëhet qytetarëve.
Formula themelore lidhet me dy cilësi: delegatët dhe të besuarit. Pra, çështja themelore është paqartësia se a zgjedhim delegatë apo të besuar, sepse në mes të këtyre dy koncepteve, ekziston një dallim thelbësor e përmbajtjesor.
Në parim, përfaqësuesit që i përgjigjen konceptit “delegatë”, do të duhej të ndiqnin preferencat konkrete të qytetarëve. Meqenëse nuk mund të presim që gjithmonë do të ketë në garën politike politikanë me një kulturë politike gjithëpërfshirëse që shkon në dobi të të gjithëve, formula e delegimit është mundësi e mirë për të autorizuar përfaqësimin dhe kërkesat e qytetarëve në mënyrë precize. Detyra e përfaqësuesit me këtë rast është që të flasë e të veprojë në përputhje me ato gjëra për të cilat qytetarët e kanë deleguar.
Në anën tjetër, krejt i kundërt është përfaqësimi përmes “të besuarve tanë”. Ne nuk i zgjedhim të besuarit tanë që ata t’i ndjekin preferencat tona, por i zgjedhim për t’i fuqizuar ata, në mënyrë që të marrin vetë dhe në mënyrë të pavarur vendimet, nga të cilat, ne besojmë se do përfitojmë të gjithë dhe gjithë bashkësia politike. Theksi këtu është tek besimi se “të besuarit tanë” kanë afinitet të mirëfilltë për të ndjekur interesin e përgjithshëm, si dhe këtë gjë e bëjnë mirë, me kompetencë e me arsye.
Të dy këto modele përfaqësimi, kanë anët e tyre të mira dhe dobitë e tyre përkatëse. Por ajo çfarë shohim në ambientin tonë politik, është kryqëzimi i tyre në trajtë të zhdrejtë. Përfaqësuesit politik në Kosovë, zakonisht kërkojnë votën në cilësi të delegatit, sepse në mungesë të një ideje politike, depertojnë më lehtë me anë të premtimeve për të lehtësuar sfidat e qytetarëve. Megjithatë, ata “shndërrohen” në “të besuar” sapo marrin mandatin, duke e çliruar vetën nga përgjegjësia e delegimit dhe duke ndjekur preferencat e veta.
Kështu ndodhë që qytetarët të përfundojnë duke ndjekur paraqitjet publike të përfaqësuesve, pa i dëgjuar kërkesat e tyre direkte si dhe pa qenë të sigurt se veprimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve janë në të vërtetë në linje me atë çka besojnë qytetarët që i kanë zgjedhur.
Defekti me këtë mënyrë të të konceptuarit të rolit përfaqësues, shkakton defekte zingjirore të raportit politik “zgjedhës dhe të zgjedhur”. Në mes tjerash, zhvlerëson debatin, argumentin dhe nevojën, duke i dhënë avantazh konfrontimit, paragjykimit dhe paraqitjes.
Thënë në përgjithësi, ajo çfarë karakterizon sjelljen e përfaqësuesve të qytetarëve në institucione në Kosovë, në një rend të mirëfilltë politik do të ishte përjashtim, përderisa këtu është e vazhdon të jetë modë.
Për të mos mbetur borxh, përfaqësimi i mirëfilltë politik është thelbi i demokracisë në të cilën bëjmë pjesë. Ai përveç se është formalisht si i tillë, ka edhe shumë anë të tjera domethënëse që përfaqësuesit e qytetarëve duhet t’i fusin në fjalorin e gjuhës dhe të të menduarit të tyre politik.
Në mes tjerash, përfaqësimi lidhet edhe me anën simbolike, që nënkupton mënyrën se si përfaqësuesi i prezanton të përfaqësuarit. Ai lidhet edhe me anën përshkruese, që nënkupton përshkrimin e saktë të nevojave dhe kauzave të atyre që kanë mandatuar përfaqësuesin. Është po ashtu përfaqësim përmbajtjesor që nënkupton aktivitetin dhe veprimet e përfaqësuesit në emër dhe për interes të atyre që përfaqëson, si një agjens ndërlidhës i tyre. Mbi të gjitha, përfaqësimi politik ka të bëjë me jetën e asociuar, e cila përfshinë çështjet tematike me rëndësi për komunitetin, shoqërinë, grupet e interesit dhe lëvizjet shoqërore.
Rrjedhimisht, përfaqësimi politik në një rend demokratik është interpretim, formulim e argumentim për zgjidhjen e çështjeve që preokupojnë mënyrën e përbashkët të jetesës. Si i tillë, ai është jo veç standard formal por edhe diskurs transformues me efekt real në përditshmëri.
Një përfaqësim i tillë në Kosovë, nuk është se nuk ekziston në nuanca, por është ende shumë larg si standard, aq i nevojshëm e i domosdoshëm për të mirëmbajtur një rend të mirëfilltë politik e demokratik.