Nga Edward Lucas
Gjatë 4 viteve të fundit, aleatët e SHBA-së ankoheshin në prag të samiteve ndërkombëtare, duke pasur frikën e ndonjë sulmi të fortë verbal apo ndonjë surprize të pakëndshme nga Trump.
Stili gazmor dhe multilateralizmi i përzemërt i presidentit Bajden, garantuan një Samit miqësor dhe produktiv të G-7 në Kornwall. Ai hodhi themelet për një samit të ngjashëm optimist të NATO-s në Bruksel. Fjalët janë të lira, ndërsa veprimet të kushtueshme.
Misioni i vërtetë është krijimi i një koalicioni efektiv të demokracive, për t’iu kundërvënë Rusisë dhe Kinës. Sjellja miqësor mund ta ndihmojë, por nuk e garanton domosdoshmërisht atë. Nëse do që të udhëheqësh, atëherë duhet të paguash për të. Për shembull, riparimi i epërsisë në diplomacinë globale të vaksinave, do të thotë të shpenzosh dhe jo vetëm të paguash për të huajt paratë e taksapaguesve të tu.
Disa votues në vendet perëndimore, do të duhet të presin për vaksinën e tyre,në rast se do të vaksinohen para tyre punonjësit e kujdesit shëndetësor në vendet e varfra. Proteksionizmi e prish unitetin e Perëndimit. Të rifitosh ndikimin global në qeverisjen ekonomike, do të thotë të ndërtosh struktura të forta ndërkombëtare për vendosjen e rregullave, si Partneriteti i Tregtisë Transatlantike dhe i Investimeve (TTIP) dhe Partneriteti i Transpaqësorit (TPP), të braktisura me aq mendjelehtësi në epokën Obama dhe Trump.
Por propozime të tilla kanë aromën e liberalizimit të tregtisë, që është toksike në ditët e sotme për punëtorët e jakave-blu që i dhanë Partisë Demokratike në SHBA fitoren e ngushtë në zgjedhjet e nëntorit 2020. Ato nuk janë shumë popullor as në Evropë.
Brenda vetes dhe ndërkombëtarisht, Perëndimi është mbajtur bashkë nga besimi, një cilësi që ndërtohet ngadalë po që mund të gërryhet shumë shpejt. Vitet e presidencës Trump, ishte personifikim i mënyrës se si shumë amerikanë ndihen të zhgënjyer dhe të mashtruar nga aleatët e tyre të supozuar:të pasur por sërish koprracë, të vetëkënaqur dhe mosmirënjohës. Por për shumë vende aleate, epoka e “Amerika e Para” ishte shumë e vrazhdë. Për herë të parë në historinë e NATO-s, një president amerikan po hidhte dyshime mbi garancinë amerikane të sigurisë për Evropën. Ishte vetëm një devijim nga rregulli? Apo do të kthehet sërish? Planet e emergjencës, duhet të përfshijnë një të ardhme me një nivel të ulët besimi.
Tani pyetja është se si të shpërndahen perceptimet në Kinë dhe Rusi, se Perëndimit mund të sulmohet pa pësuar ndonjë ndëshkim. Shembujt e agresioneve të fundit përfshijnë krimin kibernetik (i organizuar kryesisht në Rusi); provokimet nga marina kineze; rrëmbimi i avionëve nga Bjellorusia dhe shantazhi i pritshëm përmes i Kremlinit kundër Ukrainës përmes furnizimeve energjitike.
Strategjia frenuese e Perëndimit ndaj këtyre sjelljeve, është dukur rrallëherë më e dobët sesa kaq. Ç’është më e keqja, në Shtëpinë e Bardhë dominon ideja se SHBA duhet të “parkojë” çështjen e Rusisë, në mënyrë që të përqendrohen më pas tek Kina.
Por kjo qasje është e gabuar. Rusia nuk dëshiron të “parkohet”. Përkundrazi Kremlini dëshiron të vozisë në mes të rrugës, duke ndezur dritat, muzikën në kupë të qiellit, duke kthyer kokën majtas djathtas dhe duke bllokuar trafikun.
Çdo vëmendje e madh ndaj Kinës, krijon perceptimin se SHBA-ja po neglizhon sigurinë evropiane. Kjo gjë krijon menjëherë hapësirë për sjelljet dashakeqe të Kremlinit. Si mund të shpëtojmë nga kjo gjë? Sa duhet të paguajë Amerika për të parandaluar një krize?
Vendet evropiane mund të mbajnë mbi supe më shumë barrë teksa “ombrella” e SHBA-së pëson të çara. Mjerisht ajo ditë është ende e largët. Vendet nordike dhe baltike plus Poloninë, janë duke e vlerësuar shumë mirë mbrojtjen e tyre.
Por ato janë ende shumë të varura nga ndihma e SHBA-së. Ndërgjegjësimi për kërcënimin nga Kina po rritet, por kjo po ndodh shumë ngadalë. Në shumicën e fronteve, Evropa nuk përmbush as angazhimet e veta për mbrojtjen, e lëre më pastaj të jetë në lartësinë e sfidave më të forta të vendosura nga bota e jashtme.
Kryesore midis këtyre sfidave është realiteti i konkurrencës globale të fuqive të mëdha. Në pjesën më të madhe të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, udhëheqësit e G7-ës janë apostujt e një të djeshmeje më të mirë.
Ato përfaqësojnë ato që dikur ishin vendet më të rëndësishme dhe tërheqëse të botës, por që tanimë shihen si të pavendosura, si të përqendruara vetëm tek vetja dhe në rënie e sipër. Rindërtimi i këtij reputacioni të kompetencës dhe integritet, dhe i ndikimit që e shoqëron atë, është shumë jetik. Ne sapo e kemi filluar këtë proces. / “Center for European Policy Analysis”