Në kuadër të Grupit 1, vëmendja kryesore është te dueli mes Italisë dhe Francës, që zhvillohet në orën 20:45 në stadiumin “San Siro”. Ndërkohë, Belgjika përballet me Turqinë nga ora 18:00.
Franca kryeson grupin me 10 pikë, tri më shumë se Italia, ndërsa Belgjika renditet e treta me gjashtë pikë. Turqia mban pozitën e fundit pa pikë të grumbulluara.
Francezët mund ta sigurojnë vendin e parë në grup dhe kualifikimin në çerekfinale me një fitore ndaj Italisë. Megjithatë, Franca do të kualifikohej edhe në rast barazimi, ose nëse Belgjika nuk arrin ta mposhtë Turqinë. Edhe Italia ka ende mundësi për të avancuar, por për këtë i nevojitet fitorja ndaj Francës dhe humbja e Belgjikës.
Interesante pritet të jetë edhe gara në Grupin 3, ku Anglia pret Kroacinë në “Wembley”. Në përballjen e parë mes tyre, anglezët kishin triumfuar me rezultat të thellë 7:0.
Anglia renditet e dyta me nëntë pikë, gjashtë më shumë se Kroacia, që zë pozitën e tretë. Në krye të grupit është Spanja me 12 pikë, e cila në këtë xhiro luan në udhëtim ndaj Çekisë, skuadër që ende nuk ka arritur të marrë pikë.
Të dyja ndeshjet e Grupit 3 zhvillohen nga ora 20:45.
Spanja tashmë e ka siguruar kualifikimin në çerekfinale, ndërsa Anglisë i mjafton të shmangë humbjen ndaj Kroacisë për të siguruar gjithashtu një vend në mesin e tetë skuadrave më të mira të garës.
D.L
