Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të përballen të enjten mbrëma në finalen e tretë të “Play-offit” të Superligës së Kosovës në basketboll.
Rezultati i serisë finale aktualisht është 1:1, kurse skuadra e cila shënon tri fitore e para do të shpallet kampione e Kosovës.
Dy sfidat e para kanë qenë të jashtëzakonshme, duke paralajmëruar duele të ‘zjarrta’ në finale, që është ajka e fundit të kampionatit. Ndeshjen e parë e fitoi Trepca me shifrat 77:68, kurse në përballjen e dytë triumfoi Ylli me rezultat 80:79.
“Xehetarët” kërkojnë trofeun e katërt për këtë edicion, pas Kupës, Superkupës dhe Ligës Unike dhe titullin e pestë në histori, derisa therandasit titullin e tretë në histori, pasi më 2021 dhe 2022 u shpallën kampionë të Kosovës.
Përballja e tretë e finales do të zhvillohet të enjten mbrëma me fillim nga ora 19:00 në palestrën “Minatori”.