Mbi dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre ende mbetet e paplotë. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë që nga përfundimi i luftës së vitit 1998-1999, qindra raste të krimeve të luftës mbeten të pazbardhura dhe autorët e këtyre krimeve vazhdojnë të jenë të lirë. Ky dështim për të sjellë drejtësi ka shkaktuar një zhgënjim të thellë, jo vetëm tek ata që kanë humbur të dashurit e tyre, por edhe tek shoqëria kosovare në përgjithësi. Mungesa e një verdikti të qartë dhe të drejtë për ato ngjarje tronditëse ka krijuar një ndjenjë të fortë të padrejtësisë, duke e vështirësuar procesin e pajtimit dhe rehabilitimit të shoqërisë kosovare.
Sipas të dhënave nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe burimeve institucionale, qindra raste të krimeve të luftës, të cilat përfshijnë ekzekutime masive, tortura, përdhunime dhe zhdukje me forcë, ende qëndrojnë të pazgjidhura, duke krijuar një hendek të thellë mes asaj që është bërë deri tani dhe asaj që pritej të arrihej. Përpjekjet për të hetuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtyre krimeve janë ngadalësuar, ndërsa përparimi i pasigurt në këto procese ka forcuar ndjenjën e paqartësisë dhe të pafuqisë për të sjellë drejtësi. Ky ngadalësim i prokurorive dhe mungesa e veprimit të vendimmarrësve, përveç se po vonojnë zgjidhjen e këtyre çështjeve, kanë treguar gjithashtu një mungesë të vullnetit politik, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë vendor. Ndërkohë që viktimat dhe familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, shoqëria kosovare mbetet e ndarë dhe e ngarkuar me një të kaluar të dhimbshme, që kërkon një trajtim të drejtë dhe të merituar.
Për familjet e viktimave, kjo situatë mbetet një plagë e hapur që nuk shërohet, pasi mungesa e rezultateve konkrete ka krijuar ndjenjën e braktisjes nga institucionet e drejtësisë. Përveç dhimbjes, ata përballen me peshën e një sistemi që duket se i ka harruar.
Për të kuptuar më mirë pengesat dhe mundësitë për përmirësim, biseduam me avokatin Ardian Bajraktari i cili ndau me ne këto pikëpamje:
Cilat janë sfidat kryesore ligjore që hasen në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë dhe si mund të adresohen ato?
Koha është një faktor shumë i rëndësishëm dhe “armik i padukshëm” ne drejtim të hetimit dhe vënies para përgjegjësisë së kryerësve të krimeve të luftës, qoftë të urdhërdhënësve qoftë të ekzekutorëve.
Gjithashtu sfidë është edhe përshkrimi faktik i veprimeve, përkatësisht përshkrimi sa më i detajuar i rrethanave që e karakterizojnë ngjarjen. Një sfidë po ashtu shumë e madhe është mosgatishmëria e shtetit serb për të bashkëpunuar dhe vendosur drejtësi për atë që ka ndodhur, madje kjo e fundit po vazhdon të jetë strehë për një numër kriminelësh, të cilët po i shmangen ballafaqimit me drejtësinë.
A mendoni se ka pasur përpjekje të mjaftueshme nga ana e institucioneve të Kosovës për të mbështetur dëshmitarët dhe viktimat e krimeve të luftës, dhe si mund të përmirësohet ky proces?
Nuk vlerësoj se është bërë mjaftueshëm, pavarësisht faktit se për një kohë relativisht të gjatë këto krime kanë qenë kompetencë e autoriteteve ndërkombëtare, fillimisht e UNMIK-ut, pastaj e EULEX-it. Megjithatë, në raport me viktimat dhe dëshmitarët, ka mundur dhe është dashur të bëhet më shumë. Ndonëse është relativisht vonë, tashmë kemi të themeluar me ligj të veçantë Institutin për dokumentimin e krimeve të luftës, kemi shtim të kapaciteteve në kuadër të policisë, ndërsa prokuroria përkatësisht Prokuroria Speciale, duhet forcuar më tepër, me qëllim që të adresohet kjo çështje.
Trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, që u hodhën në varre masive, u shpëtuan dhe morën një varrim të përshtatshëm, Gjakovë, 1999.
Si ndikon presioni politik në zhvillimin e hetimeve për krimet e luftës në Kosovë? A ka pasur ndikime që kanë penguar drejtësinë dhe zbardhjen e të vërtetës?
Procesin politik dhe ndikimin në këtë aspekt duhet parë në disa aspekte, e para si rezultat e mendësisë së vjetër që vazhdon ta shoqëroj fqinjin tonë verior, akoma kjo sfidë mbetet e pa adresuar, e në planin e brendshëm, politika duhet mbështetur sa më shumë organet e zbatimit të ligjit, me theks të veçantë prokurorinë, prandaj politika qoftë direkt, qoftë indirekt ka rol në proceset e tilla, pavarësisht faktit se jo në pak raste na rastisë të dëgjojmë shumë fjalë, por që të njëjtat pastaj nuk materializohen në vepra.
Për sa i përket pasigurisë ligjore dhe frikës nga hakmarrja, çfarë masash mund të merren për të siguruar që dëshmitarët dhe viktimat do të ofrojnë dëshmitë e nevojshme për hetimet e krimeve të luftës?
Legjislacioni ynë ofron mjaftueshëm masa mbrojtëse, përfshirë edhe mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, kur kjo vlerësohet e nevojshme. Prandaj, në këtë drejtim, roli dhe dëshmia e të gjithë atyre që kanë qenë dëshmitarë të vrasjeve, masakrave e maltretimeve të shumta gjatë luftës, është shumë e rëndësishme dhe ndikon në vendosjen e drejtësisë. Për këtë arsye, ftoj qytetarët që ta bëjnë këtë gjë, të dëshmojnë. Nuk duhet të kihet frikë nga e vërteta, ajo duhet të zbardhet, dhe çdo individ që dëshmon për atë që ka parë e përjetuar, kontribuon në zbardhjen e saj.
Si mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërkombëtar në hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, dhe cilat janë masat që mund të merren për të forcuar këtë bashkëpunim?
Bashkëpunimi juridik ndërkombëtar është para së gjithash një refleksion i vullnetit politik të shteteve respektive. Natyrisht, bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm, por në këtë aspekt duhet pranuar se mundësitë e shteteve të vogla, siç jemi ne, janë të kufizuara. Andaj, mbetet që të koordinohemi me aleatët dhe miqtë tanë të përhershëm për ta adresuar këtë sfidë, mbi të gjitha si çështje humane.
Marinsat amerikanë ofrojnë siguri ndërsa anëtarët e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të Policisë Mbretërore Kanadeze po hetojnë një vend varri në një fshat në Kosovë më 1 korrik 1999.
A është e mundur që në të ardhmen, Kosova të krijojë një sistem të fuqishëm të drejtësisë që mund të zbardhë të gjitha krimet e luftës dhe të ndihmojë në ndihmën e viktimave dhe dëshmitarëve?
Tashmë, legjislacioni është mjaft i konsoliduar, duke përfshirë edhe mundësinë e gjykimit në mungesë për kategorinë e veprave penale që lidhen me krimet e luftës. Kohëve të fundit, kemi një numër aktakuzash dhe procese gjyqësore që po zhvillohen. Natyrisht, sfidë mbetet kapja e të akuzuarve dhe vënia e tyre para drejtësisë, qoftë si të akuzuar, qoftë si të dënuar, kur ndaj tyre zhvillohet gjykimi në mungesë. Drejtësi dhe vendosje të drejtësisë do të mund të kemi vetëm atëherë kur të gjithë ata që kanë kryer krime, qoftë si urdhërdhënës, qoftë si ekzekutorë, ta marrin dënimin e merituar. Për të arritur këtë, ka shumë punë për institucionet e Kosovës. Viktimat do të marrin satisfaksion vetëm atëherë kur kriminelët të marrin dënimin e merituar.
Në një kontekst ku drejtësia duket ende e largët dhe plagët e luftës mbeten të hapura, familjarët e viktimave të krimeve të luftës kërkojnë vetëm një gjë: të vërtetën dhe dënimin e atyre që shkaktuan vuajtjen e pafundme, për të mundur, pas kaq shumë vitesh, të ndiejnë edhe një shenjë lehtësimi. Kjo është kërkesa e drejtpërdrejtë e atyre që ende vuajnë nga humbja e të dashurve, që shpresojnë se drejtësia do të bëjë që e kaluara të mos mbetet e padukshme.
Drejtësia për krimet e luftës nuk është vetëm një nevojë për viktimat dhe familjet e tyre, por një themel i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe paqësore. Ndërsa drejtësia nuk do të mund të kthejë ata që u humbën, ajo ka një fuqi shëruese për të mbledhur copëzat e shkatërruara të shoqërisë dhe për të krijuar një besim të ri mes qytetarëve dhe institucioneve. Përmes kësaj, sigurohet që krimet e së kaluarës të mos përsëriten kurrë, dhe që një shoqëri e re, e cila është e angazhuar për paqen dhe drejtësinë, të marrë jetë./UBTNews/
Gazetare: Fjolla Gashi