UBT News

Pep, drejt largimit nga City? Në Angli e duan në krye të ‘Tre Luanëve’

Pep Guardiola, trajneri legjendar i Manchester City-t, duket se po i afrohet një largimi nga klubi, me kontratën e tij që skadon më 30 qershor 2025 dhe pa negociata të qarta për rinovim. Një tjetër indikacion i mundshëm për këtë largim është dorëheqja e Taxi Begiristain, ish-drejtuesi i futbollit në City, i cili ka qenë një pikë reference për Guardiolën gjatë gjithë kësaj periudhe.

Sipas gazetës “The Sun”, ish-futbollisti Hugo Viana mund të jetë zëvendësuesi i Begiristain, dhe ai do të ketë mundësinë të zgjedhë trajnerin e ri. Një faktor tjetër që mund të ndikojë në të ardhmen e Guardiolës është gjyqi lidhur me shkeljet e rregullave të “Fair Play-t Financiar”, i cili mund të ketë pasoja për klubin.

Guardiola ka shprehur mendimin e tij në maj 2024, duke thënë: “E vërteta është se unë jam më afër largimit sesa qëndrimit. Ne kemi folur me klubin dhe vullneti im është të qëndroj për sezonin e ardhshëm, dhe kështu do të jetë. Më pas, gjatë vitit do të flasim dhe do të kuptojmë të ardhmen”.

Nëse Guardiola largohet nga City, ende nuk është e qartë se ku do të shkojë. Ai mbetet një nga trajnerët më të kërkuar dhe të pëlqyer në botë, dhe ka spekulime se Anglia dëshiron ta shohë atë si trajnerin e ri të kombëtares “Tre Luanëve”, një mundësi që nuk duhet përjashtuar, sidomos me Botërorin 2026 që afron.

Në rast se Guardiola largohet, kandidatët për ta zëvendësuar janë ende të paqartë, por sipas “The Sun”, Ruben Amorim, trajneri aktual i Sportingu, është një emër që po përflitet./UBTNews/

 

Exit mobile version