Skuadra e Penzës e ka fituar ndeshjen e pestë finale ndaj Bashkimit për ta fituar titullin e kampionit në Superligën e femrave në basketboll.
Në ndeshjen e pestë të serisë finale të luajtur në palestrën “Sezai Surroi”, Penza ka triumfuar me shifrat 77:63.
Për Penzën, kjo ishte fitorja e tretë në serinë finale ndaj Bashkimit që e konfirmoi kampione për sezonin 2020/21, teksa ky është titulli i parë pas sezonit 2016/17 dhe i katërti i pasluftës. Amerikania Gabrielle Cooper ka udhëhequr Penzën drejt këtij suksesi.
Cooper ndeshjen e mbylli me 20 pikë të shënuara, e përcjellë nga Valbona Bytyqi (15), Arbnore Përquku (14) e Ashlie Howell (12 pikë, 14 kërcime) Në anën tjetër, te Bashkimi u veçuan Aisha Balarabe me 23 pikë e 17 kërcime duke lënë pas vetes Irma Konjushën (16) e Saranda Dacin (10 pikë, 12 kërcime).