UBT News

Pendarovski: Reforma në gjyqësor, për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e vendit

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski fjalimin e tij vjetor në Kuvend e filloi me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari, viktimave të zjarrit në spitalin modular në Tetovë dhe të të gjithë të vdekurve nga COVID-19.

Një ndër pikat në ta cilat vuri theksin presidenti ishte edhe gjyqësori.

Ai me këtë rast u shpreh se reformat në gjyqësor janë të domosdoshme dhe mënyra e vetme për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit, në të kundërtën, presidenti tha se janë dëshmitarë se qytetarët po ikin nga vendi dhe po shkojnë aty ku drejtësia funksionon dhe ku ligji është i barabartë për të gjithë.

Gjatë fjalimit të tij, Pendarovski theksoi se Qeveria e re duhet të fokusohet në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve që ndërlidhen me pandeminë, gjendjen ekonomike si dhe krizën energjetike.

“Pres që qeveria e re të merret me problemet e qytetarëve që kanë të bëjnë me pandeminë, me ekonominë dhe krizën energjetike”, tha Pendarovski, shkruan Alsat M.

Ndërkohë sa u përket proceseve euro-integruese ai u shpreh se ato edhe më tej mbeten pa alternativë, por gjithsesi tha se kanë një çmim.

“Nëse ai çmim do të thotë të heqim dorë nga identiteti ynë, unë nuk shoh ndonjë politikan këtu që do të dëshironte të shesë popullin e tij, për këmbim të integrimit evropian”, tha Pendarovski.

Exit mobile version