Kina ka shprehur shpresën se situata në Ukrainë të “de-përshkallëzohet së shpejti”, pas sulmeve të dukshme ruse në kryeqytetin Kiev të hënën.
Duke folur gjatë konferencës ditore të Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze në Pekin të hënën, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning tha se Kina kishte vërejtur raporte për shpërthimin në urën e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë dhe sulmet e së hënës në Kiev.
Mao përsëriti qëndrimin e Kinës për situatën në Ukrainë, duke theksuar se Kina “ka thënë gjithmonë se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen”.
“Shpresojmë që të gjitha palët të mund të zgjidhin siç duhet mosmarrëveshjet e tyre përmes dialogut dhe konsultimit. Kina është gjithashtu e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në promovimin e de-përshkallëzimit të situatës”, shtoi Mao./UBTNews/