UBT News

Pejë: Aktakuzë ndaj katër personave për grabitje në pompë derivatesh

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve L.B., L.M. F.M. dhe Sh.Gj, për shkak të veprës penale “Grabitja” dhe kundër të pandehurit L.M. për shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në komunikatën për media thuhet se sipas aktakuzës, të pandehurit me datën 21 maj të këtij viti rreth orës 23:35 në Pejë, duke vepruar si anëtarë të grupit, me armë dhe me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze, grabisin pompën e derivateve DHF në këtë qytet, ashtu që të njëjtit fillimisht sigurojnë një armë të gjatë.

Më pas me veturën e njërit prej të pandehurve, shkojnë në vendin e ngjarjes, i vendosin maskat në kokë, dalin nga vetura me armë, futen brenda në marketin e pompës dhe nën kërcënimin e armës dhe kanosjes serioze, punëtorit të kësaj kompanie i marrin shumën prej 905 euro, pastaj kthehen në veturë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa parat i ndajnë përgjysmë.

Në njoftim tutje bëhet e ditur se prokurori i rastit në aktakuzë, përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe konfiskimin e veturës Golf II, konfiskimin e parave të gjetura tek të pandehurit në shumën prej 575 euro, konfiskimin e armës dhe lëshimin e urdhrit për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar të dëmtuarit si rezultat i veprës penale.

Exit mobile version