UBT News

Peja Outdoor Festival rikthehet me mbi 40 aktivitete në natyrë

Peja do të jetë qendër e aktiviteteve outdoor nga 11 deri më 14 qershor, me organizimin e edicionit të tretë të “Peja Outdoor Festival”, festivalit të parë në Kosovë të dedikuar turizmit aktiv, rekreacionit dhe mirëqenies në natyrë.

Gjatë katër ditëve të festivalit, në Pejë dhe Rugovë do të zhvillohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore, përfshirë ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, punëtori tradicionale dhe programe për fëmijë e të rinj.

Organizatorët theksojnë se festivali synon promovimin e Pejës dhe Rugovës si destinacione të turizmit aktiv, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë natyrën, kulturën lokale dhe aktivitetin fizik në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është gara “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor dhe pritet të mbledhë rreth 300 garues nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës në kategoritë 10 dhe 23 kilometra.

Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor, nga ora 20:30, te Mulliri i Haxhi Zekës në Pejë./A.K/

Exit mobile version