Parlamenti Evropian ka miratuar raportin për Kosovën, ndërsa raportuesi për Kosovën në këtë institucion, Riho Terras, ka shprehur shpresën që vendi të tejkalojë sa më shpejt bllokadën institucionale dhe të vazhdojë rrugën e reformave dhe integrimit evropian.
Terras vlerësoi progresin e Kosovës në fusha si reformat zgjedhore, qëndrueshmëria ekonomike dhe mbrojtja e të drejtave themelore, por theksoi se mbeten sfida në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe efikasitetin e administratës publike.
Raporti rithekson mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës dhe u bën thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të lehtësohet avancimi i saj në procesin integrues.
Po ashtu, në dokument theksohet rëndësia e vazhdimit të reformave dhe e angazhimit konstruktiv në dialogun me Serbinë, si pjesë e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.
Terras shprehu shpresën që institucionet e Kosovës të tejkalojnë ngërçin politik dhe të fokusohen në prioritetet që lidhen me zhvillimin e vendit dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
