Në seancën parlamentare, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Ferat Shala ka ngritur shqetësimet për situatën emergjente të energjisë elektrike në vend dhe siç tha ai për keq menaxhimin e kësaj gjendje nga qeveria aktuale.
Në deklarimin jashtë rendit të ditës, deputeti Shala ka kërkuar nga Qeveria që ta kthejë në pikën zero raportin e propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas Shalës ngritja e çmimit të rrymës është shqetësuese për kategoritë sociale, dhe siç theksoi ai edhe për sigurinë kombëtare.
“Fatkeqësisht Qeveria si gjithherë e ngurtë dhe jo bashkëpunuese po tregohet edhe në këtë rast e ngurtë dhe jashtë çdo logjike të koordinimit dhe bashkëpunimit në menaxhimin e krizës energjetike. Pastaj pasoja janë të larta për ekonominë e vendit, bizneset, kategoritë sociale dhe gjithë shoqërinë tonë. Në kohën e pandemisë, në kohën e inflacionit të lartë dhe më të lartë në dy dekadat e fundit, në pikun e sezonit dimëror, ZRrE-ja në koordinim me qeverinë na ofron raportin konsultatitv të strukturës tarifore për të gjitha kategoritë e shoqërisë tonë. Ky raport, i cili pasqyron ngritjen e tarifave në një shkallë të pamenduar, të paparashikuar dhe të padëgjuara deri më tani na ofron rritjen në mënyrë lineare nga 42 për qind e deri në 120, e për disa kategori rreth 200 për qind të ngritjes së caktuar të tarifave të cilat janë barrë për taksapaguesit e Kosovës. Ky është një shqetësim i madh social, e ekonomik, politik, por që e prekë edhe sigurinë nacionale. Si grup parlamentar kërkojmë nga qeveria që ta kthej në pikën zero këtë raport, dhe ta kthejmë, bashkërisht të gjithë një zëri”, theksoi Shala.