Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke i cilësuar ato si devijim nga e vërteta dhe drejtësia, dhe si shërbim ndaj narrativës serbe për luftën në Kosovë.
PDK vlerëson se që nga dita e parë e fazës përmbyllëse të gjykimit është bërë e qartë se procesi nuk po zhvillohet si një procedurë e zakonshme gjyqësore, por si përpjekje për deformim të së vërtetës historike.
“Kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi dhe po tenton të ndërtojë një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës paraqitet si projekt kriminal”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, faktet historike dhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë kanë dëshmuar se Serbia ishte agresore, ndërsa populli i Kosovës viktimë e krimeve të rënda, përfshirë spastrimin etnik dhe gjenocidin.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal”, thekson PDK.
PDK vlerëson se ish-krerët e UÇK-së nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës dhe shtetformimit të Kosovës, ndërsa kërkesat për dënime i cilëson si politike dhe selektive.
“Hashim Thaqi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individ të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, të çlirimit dhe të shtetformimit të Kosovës. Kjo qasje synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri”, thuhet në deklaratë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në fund, PDK-ja rikonfirmon qëndrimin e saj për legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe pafajësinë e ish-krerëve të saj, duke kundërshtuar çdo përpjekje për rishkrim të historisë.
“Liria nuk është krim dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon reagimi.
