Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka propozuar në Kuvendin e Kosovës një rezolutë që kërkon masa urgjente për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me barna esenciale për pacientët onkologjikë, raporton Ekonomia Online.
Përmes kësaj rezolute, kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të ndërmarrin masa për të parandaluar ndërprerjen e terapive për shkak të mungesës së barnave.
Jashari ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve nga miratimi i rezolutës, t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026. Raporti do të përfshinte listën e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatjen e mungesave, numrin e pacientëve të prekur, shkaqet dhe statusin e procedurave të prokurimit.
Rezoluta parasheh gjithashtu krijimin e një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm dhe përcaktimin e stokut minimal të sigurisë për barnat kritike onkologjike, në mënyrë që procedurat e furnizimit të nisin para se rezervat të arrijnë nivelin kritik.
Një tjetër kërkesë është që Ministria e Shëndetësisë, brenda 30 ditëve, të analizojë bazën ligjore dhe financiare për mundësinë e krijimit të një mekanizmi për rimbursimin e pacientëve që kanë blerë me shpenzimet e tyre barna nga lista esenciale, për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.
Në propozim kërkohet edhe evidentimi i përgjegjësive institucionale për dështimet ose vonesat në planifikimin, prokurimin dhe furnizimin me palbociklib, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026.
Po ashtu, SHSKUK-së i kërkohet të publikojë rregullisht të dhëna të përditësuara për gjendjen e stokut të barnave në Klinikën e Onkologjisë, përfshirë mungesat e pritshme dhe afatet e furnizimit.
Komisioni parlamentar përgjegjës për shëndetësinë do të duhej të monitoronte zbatimin e rezolutës dhe, brenda 60 ditëve, ta informonte Kuvendin për nivelin e zbatimit.
Megjithatë, rezoluta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit. Si pasojë, kryetarja e Kuvendit vendosi që seanca të ndërpritet përkohësisht deri në orën 16:30./A.K/
