UBT News

PDK paralajmëron veprime jashtë Kuvendit pas refuzimit të kërkesës për seancë

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës ka deklaruar se refuzimi për thirrjen e seancës më 12 gusht është një model i sjelljes politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryesuesi Avni Dehari, e jo thjesht një incident procedural. Sipas saj, shkelja e afatit 30-ditor dhe shpërfillja e rregullit për vazhdimin e seancës çdo 48 orë përbëjnë zbatim selektiv të Kushtetutës dhe bllokim të mandatit të deputetëve të zgjedhur më 7 qershor.

Ajo i bëri thirrje Albin Kurtit që ta kthejë vendin në binarë kushtetues, duke theksuar se PDK-ja nuk kërkon pushtet apo marrëveshje partiake, por funksionalizimin e shtetit. Gjithashtu, ajo bëri me dije se PDK-ja do të dorëzojë sërish kërkesë zyrtare për seancë pas 48 orësh dhe do të jetë çdo ditë në Kuvend.

Paralelisht me punën në Kuvend, ajo paralajmëroi zhvendosjen e aktivitetit politik edhe jashtë tij, përmes bashkëbisedimeve me qytetarë dhe grupe të ndryshme shoqërore. Në fund, ajo denoncoi edhe cënimin e integritetit fizik të disa deputetëve të PDK-së nga mbrojtja e afërt, duke njoftuar se për këtë rast do t’i drejtohen Inspektoratit Policor të Kosovës. /E.A/

 

Exit mobile version