Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbledhur urgjentisht Kryesinë e saj për të diskutuar zhvillimet e fundit politike, nga ku ka lëshuar një alarm për rrezikimin e rendit kushtetues në vend. Sipas PDK-së, përpjekjet e mazhorancës për të zgjedhur presidentin në mënyrë të njëanshme përbëjnë një shkelje flagrante të aktit më të lartë juridik të shtetit.
Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes, kjo parti ka bërë thirrje për respektimin e procedurave demokratike dhe ka paralajmëruar veprime për të parandaluar atë që e cilëson si cenim të demokracisë.
“Në përfundim, Partia Demokratike e Kosovës zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit, duke ftuar njëkohësisht qytetarët të jenë vigjilentë dhe aktivë në mbrojtje të shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftimin zyrtar të PDK-së.
Ky reagim i PDK-së vjen në një kohë kur procesi i zgjedhjes së presidentit ka hyrë në një fazë bllokimi, duke rritur tensionet mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.
