UBT News

PDK kritikon Kurtin për pjesëmarrjen në ceremoninë e kadetëve të Shërbimit Korrektues

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për pjesëmarrjen në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ajo akuzoi Kurtin se po përdor institucionet e sigurisë për të krijuar, sipas saj, një imazh të normalitetit në kohën kur vendi po përballet me krizë politike dhe institucionale.

Kabashi-Ramaj tha se uniformat dhe institucionet e sigurisë nuk duhet të përdoren për qëllime politike, duke theksuar se ato janë institucione të Republikës së Kosovës dhe jo të një partie apo individi.

Ajo i bëri thirrje Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në Kuvend dhe të mundësojnë konstituimin e tij.

Deputetja e PDK-së kritikoi gjithashtu mungesën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë, duke kërkuar më shumë mbështetje për policët dhe pjesëtarët e Shërbimit Korrektues.

Kabashi-Ramaj tha se respekti ndaj pjesëtarëve të uniformuar nuk duhet të matet me ceremoni e fotografi, por me kushtet dhe trajtimin që shteti ua ofron atyre./A.K/

Exit mobile version