UBT News

PDK kërkon votimin e dytë për Specialen sot në orën 17:30

Pasi projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara kaloi në lexim të parë me 91 vota për, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që procedura ligjvënëse të mos vonohet dhe akti normativ të miratohet përfundimisht po gjatë ditës së sotme.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Arian Tahiri ka paraqitur zyrtarisht një mocion përmes të cilit i kërkohet parlamentit që shqyrtimi i dytë dhe votimi final i këtij projektligji të caktohet për në orën 17:30.

Gjatë replikës së tij me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deputeti Tahiri theksoi se situata kërkon përgjegjësi të lartë politike dhe reagim të shpejtë institucional, duke sjellë në vëmendje edhe protestën e veteranëve e qytetarëve që po zhvillohet jashtë ndërtesës së Kuvendit.

“Kuvendi i Kosovës është i rrethuar me qytetarë që kanë ndjeshmëri për këtë temë, andaj nuk duhet të veprojmë sikur nuk po ndodh asgjë. UÇK-ja është mbi secilën parti politike dhe është e të gjithëve. Të gjithë duhet ta mbrojmë dhe të vazhdojmë të jemi krenarë me të”, u shpreh Tahiri në foltoren e Kuvendit.

Nisma e PDK-së për përshpejtimin e procedurave pritet të hidhet në votim nga kryesia e Kuvendit, në kohën kur grupet parlamentare po përpiqen të koordinojnë hapat e mëtejshëm për këtë projektligj. /E.A/

 

Exit mobile version