UBT News

PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit sot në orën 11:00

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për thirrjen e menjëhershme të vazhdimit të seancës konstituive sot, më 12 gusht 2026.

Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, mirëpo kjo nuk e shuan detyrimin për përmbushjen e këtij procesi pa vonesa të mëtejshme. Partia kërkon që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga besimi i qytetarëve.

Pavarësisht nëse kryesuesi do ta thërrasë zyrtarisht seancën apo jo, deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit sot në orën 11:00, kohë kur plotësohet afati 48-orësh sipas rregullores. Me këtë rast, PDK u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve që t’i bashkohen seancës për të dëshmuar gatishmërinë politike për përmbushjen e obligimeve kushtetuese.

Kjo kërkesë vjen pasi vazhdimi i fundit i seancës konstituive, i mbajtur të shtunën, u ndërpre dhe u shty me kërkesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, pas tensioneve në sallë ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të tij. /E.A/

foto: Koha.net

Exit mobile version