Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të sjellë sa më parë në Kuvend plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Tahiri bëri të ditur se amendamentet ligjore tashmë janë draftuar dhe proceduar nga grupi i tij parlamentar, ndërsa kërkoi nga ekzekutivi që të mos e zvarrisë këtë proces.
“Miratimi i deklaratës në mbështetje të UÇK-së ishte vetëm hapi i parë që shprehu vullnetin politik të deputetëve. Por kjo nuk mjafton. Institucionet duhet të kalojnë te veprimet konkrete dhe të sigurojnë mbështetje të plotë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë”, deklaroi Tahiri.
Ai u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike për unitet dhe pjekuri karshi kësaj çështjeje, duke theksuar se lufta çlirimtare dhe trashëgimia e UÇK-së u përket të gjithë qytetarëve. Tahiri gjithashtu vuri në dukje reagimet e diasporës shqiptare në Evropë e Amerikë, të cilët përmes protestave po shprehin pakënaqësinë ndaj zhvillimeve të fundit procesuale në Hagë. /E.A/
