Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, me qëllim votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Gjatë një konference për media, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se deri më tani janë siguruar 29 nënshkrime – 22 nga grupi parlamentar i PDK-së dhe 7 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme sipas Rregullores së Kuvendit nevojiten së paku 40 nënshkrime.
Hamza konfirmoi se i kanë dërguar ftesë zyrtare kryetares së Kuvendit dhe u kanë kërkuar mbështetje me nënshkrime deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje si dhe komuniteteve joshumicë joserbe.
“PDK-ja po pret dhe po kërkon që të thirret seanca në mënyrë që të aprovohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Iu kemi dërguar ftesë të gjithë deputetëve të VV-së, LDK-së dhe komuniteteve joshumicë joserbe që të na japin nënshkrimet, meqë kërkojmë me ngulm që ky ligj të miratohet”, deklaroi Hamza. /E.A/
