Opozita i konsideron shqetësuese masat e BE-së ndaj Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në vend. Sipas PDK-së të njëjtat dëmtojnë rëndë raportin me Bashkimin Evropian dhe se Kosova ka hyrë në një shkallë të rrezikshme të zhvillimeve.
Shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri konsideroi se zgjidhje është rrëzimi i qeverisë. Po ashtu, vlerësoi propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbajtjen e një konference ndërkombëtare. Por, për këtë nuk është pajtuar pozita, e cila tha se ka kaluar faza e organizimit të tyre.
Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Kusari-Lila tha se synimi për t’u rikthyer në normalitet është i përbashkët edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Sipas saj, hapat në këtë rrugëtim po dallojnë me të tjerët, në afate dhe kohës se si ato shtrohen.
“Besohet e shpresojmë të jenë të përkohshme, njëjtë sikur janë deklaruar edhe nga zyrtarët e BE-së. Vlera e projekteve për të cilat flasim ka të bëjë me projektet të cilat janë duke u shqyrtuar. Do të thotë që ndikimi i drejtpërdrejt nëse janë afatshkurta nuk është i ndjeshëm. Projektet e BE-së e kanë ciklin e tillë që janë prej momentit të miratimit deri te fillimi i realizimit kalon periudha kohore edhe mbi më shumë se 1 apo 2 mandate legjislative apo qeverisëse, varësisht prej mandatit të kuvendit dhe qeverisë. Parimi mbi të cilin janë marrë për ne mbetet dekurajues në kuptimin e sistemit vlerës. Kosova është rreshtuar si vend demokratik, si vend i përcaktuar për sundimin e rendit dhe ligjit, për funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe shpejtësia, lehtësia apo diskutimi mbi të cilin është diskutuar për Kosovën përkundrejt faktit që ka qenë dhe mbetet Serbia ajo e cila edhe ka nxitur trazirat edhe ka ndikuar drejtpërdrejt në përshkallëzimin e situatës edhe ka ushtruar dhunë edhe mbi ushtarët e KFOR-it, gazetarët dhe zyrtarët policor dhe qytetarë të tjerë që janë atje, nuk është mbajtur në llogari ashtu siç po synohet apo mëtohet të mbahet Kosova”, deklaroi Kusari-Lila.
Shfi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se qeveria tentoi t’i mbajë të fshehura masat e Bashkimit Evropian.
“Shpreh shqetësimin e thellë që Qeveria e Kosovës dhe kjo mazhorancë tentoi ta mbajë të fshehur komunikimin që kishte bërë BE nga data 28 qershor, që këto masa apo këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Pra, qeveria Kurti, mazhoranca që drejtohet nga LVV tashmë për agjendën tonë evropiane, integruese përveç që nuk flitet për progres, mirëpo kemi hyrë në një shkallë shumë të rrezikshme të zhvillimeve me Bashkimin Evropian. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhmen tonë euroatlantike. Masa të tilla e dëmtojnë rëndë raportin tonë me secilin shtet veç e veç me Bashkimin Evropian. Prandaj konsideroj që tashmë edhe si opozitë jemi në prag të një udhëkryqi, të cilët do të na imponohet me siguri që të marrim vendime, të cilat konsideroj që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi ai.
Megjithatë, propozimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për organizimin e një konference ndërkombëtare, Kusari-Lila ka thënë se nuk e shohin zgjidhje.
“Kosova e ka kaluar fazën e mbajtjes së konferencave ndërkombëtare për gjetjet e zgjidhjeve të çështjeve të cilat kanë zgjidhje, por nuk ka vullnet nga pala tjetër. Ajo nuk është Kosova. Tashmë ka dy marrëveshje, është marrëveshja e Brukselit gjithashtu është marrëveshja e Ohrit për planin e zbatimit, të cilat Kosova në të dy rastet ka shprehur gatishmërinë dhe i ka qëndruar besnike zbatimit të marrëveshjes së arritur. Ka qenë pala serbe ajo e cila që pas përfundimit të dy takimeve ka mohuar zbatimin e tyre, e gjithashtu edhe në terren drejtpërdrejt ka bërë shkelje të tyre. Mos të harrojmë votimin kundër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, e gjithashtu edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejt në zgjedhjet lokale në veri të vendit, ku Serbia përveçse bëri thirrje publike në disa instanca prej presidentit e gjithë kabinetit qeverisës për mos pjesëmarrje në zgjedhje, gjithashtu ka bërë presion të drejtpërdrejt në terren përmes grupeve”, shtoi ajo.
Derisa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Tahiri, i cili e ka quajtur vullnet të mirë kryeministrin Rama.
“Angazhimin e kryeministrit Rama në këtë proces në agjendën e Republikës së Kosovës e vlerësojmë jashtëzakonisht lartë. Dhe mendoj që është fat për ne të paktën si komb shqiptar që kemi një zë të arsyeshëm, i cili i flet botës dhe nuk e lejon me aq mundësi sa ka, me aq fuqi sa ka me degradua komplet agjenda jonë. Ju e shihni që ne tashmë politikën e jashtme e kemi të suspenduar. Drejtohemi nga një kryeministër i izoluar, i sanksionuar, nga një mozharancë e dështuar. Pra, imagjinoni një republikë parlamentare ku nuk funksionon parlamenti”, u shpreh Tahiri.
Në takimin e sotëm të partisë, ai shtoi se do të marrin një vendim të qartë sa i përket të ardhmes së vendit.
“Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie, pastaj rrugën për të pasur sukses ne duhet ta diskutojmë. Ne e dimë aktualisht me numra se si jemi në këtë kuvend. Edhe ajo që është e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe thjesht të mos vuajmë për protagonizëm që të bëjmë një ditë një lajm më shumë brenda një dite dhe në fund të dështojë”, u shpreh Tahiri.
Ditë më parë, Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor. Këto masa parashohin pezullimin e punës së organeve të MSA-së dhe programit të fondeve IPA dhe mos ftesa në ngjarje të nivelit të lartë.