Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesë për takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Mirëpo, nga të dyja këto subjekte politike nuk është bërë ende e ditur nëse do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e thirrur. Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka dhënë ndonjë deklaratë apo përgjigje lidhur me këtë çështje.
Paralajmërimi për këto konsultime erdhi gjatë ditës së sotme nga ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila bëri të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje pritet t’u dërgojë ftesa partive parlamentare për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja dhe zgjedhjes së presidentit. Po ashtu, vetë Kurti ka lënë të kuptohet se gjatë kësaj jave mund të ketë lëvizje konkrete drejt një marrëveshjeje të mundshme me LDK-në.
Këto zhvillime politike vijnë në prag të seancës konstituive për inaugurimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar të mbajë punimet më 6 gusht. /E.A/
