Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor, para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të merren nga institucionet përkatëse.
Ai theksoi se pas këtyre vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në.
Dy ankesa lidhur me procesin e rinumërimit janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas përfundimit të afatit 48-orësh të ankimimit të dielën në mesditë.
PZAP ka afat prej tre ditësh për të vendosur lidhur me këto ankesa, të cilat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njëra të premten dhe tjetra të shtunën.
/A.K/
