UBT News

PDK: Do të përdorim gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar diskriminimin e veteranët

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar miratimin e projektligjit për pagën minimale, që sipas tij, anashkalon dhe diskriminon veteranët e UÇK-së.

Në një konferencë për medie, Tahiri kërkoi nga Ministria e Financave, që të gjejë një konsensus për rritjen e pensioneve të veteranëve, në kuadër të pagës minimale.

Çfarëdo mjeti që është demokratik për të penguar këtë nismë ligjore, ne normalisht që do të përdorim. Për ne është e pabesueshme se si kemi ardhur në këtë diskutim të tillë, për të diskutuar për kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë tonë, veteranët e luftës, që sot t’i lëmë anash nga një ligj i cili përcakton pagën minimale dhe i diskriminon ata. Kjo është e papranueshme. Ky projektligj nuk duhet të kaloj as në leximin e parë as në leximin e dytë“, tha Tahiri.

Sipas tij, kjo qasje e mazhorancës është e papranueshme.

Është e papranueshme kjo qasje e mazhorancës, që përkundër kërkesave tonë që tash e disa kohë që cështja e pagës minimale të mos trajtohet kështu siç është, duke lënë kështu anash veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, edhe sot e kësaj dite ende kemi një tendencë të tyre që pikërisht të shkohet duke i përjashtuar veteranët e UÇK-së. Prandaj, ne si PDK, do të përdorim çdo mjet demokratik që të mos lejojmë që ky ligj të miratohet. Ne duam të arrijmë në një konsensus së bashku me Ministrinë e Financave që ta trajtojmë çështjen e veteranëve të UÇK-së. Kjo është kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë, që i ka dhënë më së shumti vendit, çlirimit dhe pavarësisë, prandaj, sot, të lihen anash në një formë të tillë, me ligjin për përcaktimin e pagës minimale është e papranueshme”, shtoi Tahiri.

Më tej, Tahiri ka thënë se kjo Qeveri përmes qeverisjes së keqe ka shkaktuar krizë të thellë dhe të rrezikshme në të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Kjo Qeveri tashmë ka krijuar një situatë të rrezikshme në Republikën e Kosovës. Ju e shihni një pakënaqësi të madhe në të gjitha kategoritë e shoqërisë. Prej atyre që realisht janë me skema sociale, që janë të papunë, e deri te punëtorët e secilës kategori, në publik apo privat. Këtë situatë të rrezikshme me mosveprim e ka krijuar Qeveria e Kosovës. Prandaj, kjo krizë e ka vetëm një përgjegjësi, dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Tahiri.

Exit mobile version